Palmer: Objektivi i SHBA-së është anëtarësimi i Kosovës në OKB
Drejtori i Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Matthew Palmer, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka deklaruar se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që Kosova të hyjë në OKB.
“Mendoj se është e rëndësishme që palët të kthehet në tryezën e dialogut sa më shpejt të jetë e mundur, të përpiqen t’i lënë pas ngjarjet e para tri javëve dhe të shohin përpara dhe të përpiqen të gjejnë një mënyrë që të bëjnë përparim në programin për të cilin kanë rënë dakord”, ka thënë ai.
Sipas tij, dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve është kyçi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.
“Zbatimi i ligjeve është një problem i madh për Kosovën. Por, problemi vërtetë i madh për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE nuk është teknik, por politik. Pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe vendet e tjera që e kanë njohur atë, presin një normalizim të plotë të marrëdhënieve me Beogradin para anëtarësimit”, shtoi ai.
Palmer ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në OKB, është objektiv i Shteteve të Bashkuara.
“Nuk kam ndonjë afat të caktuar për këtë. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është një proces i ndërlikuar, është diçka që mund të dojë kohë për t’u realizuar, por integrimi i Kosovës në sistemin ndërkombëtar vazhdon, shpresoj shumë që të përshpejtohet dhe shpresoj shumë që në të ardhmen e afërt, Kosova të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Por e përsëris që nuk kam ndonjë datë të caktuar përveçse të them, sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai.
Komisioni Evropian, në raportin e progresit që u publikua të martën, i kërkon Kosovës që të thellojë angazhimin në bisedimet me Serbinë dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, veçanërisht themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.