Palmer sot vjen në Kosovë
Zëvendës ndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, njëherësh Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, sot do të arrijë për vizitë në Kosovë.
Ai me këtë rast do të flasë para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Pas fjalimit, ai do të përgjigjet në pyetjet nga ky publik, njofton Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Po ashtu, Palmer pritet që sot në mesditë të takojë edhe presidentin Hashim Thaçi. Lajmi është bërë i ditur nga Kabineti i Presidentit, sipas të cilit takimi do të mbahet në ora 13.30.
Ndryshe, vizita e Palmer në Kosovë ishte paralajmëruar më herët, por nuk ishte caktuar data e vizitës.
Para ardhjes në Kosovë, Palmer qëndroi për vizitë në Maqedoninë e Veriut.
Zëvendës ndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, kohë më parë u emërua si Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.