Palmeri: Duam të shohim dialog dhe marrëveshje për reformën zgjedhore në Shqipëri
I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i ka bërë sërish thirrje për një dialog pozitës dhe opozitës në Shqipëri për arritjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore.
“Është e rëndësishme që themelet demokratike të Shqipërisë janë të forta, që zgjedhjet janë të lira dhe që populli shqiptar ka lirinë të zgjedhë në mënyrë demokratike”, ka deklaruar Palmer nga Davosi i Zvicrës ku po zhvillohet Forumi Ekonomik.
Sipas Palmerit, kjo marrëveshje çon sërish drejt normalitetit në demokracinë shqiptare.
“Prandaj, do të na pëlqente që të shihnim një dialog që sjell si rezultat një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhore që zbaton rekomandimet e OSBE/OHDIR-it dhe një drejtim që çon sërish drejt normalitetit për demokracinë shqiptare”, është shprehur ai. /Top Channel/