Palmeri: Koha nuk është në anën e Kosovës, taksa të hiqet

24 tetor 2019 | 11:33

 

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, ka thënë se Kosova duhet të formojë qeverinë e re sa më shpejt dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve me Serbinë, sepse :koha nuk është në anën e saj”.

Palmeri ka folur para Komitetit të Jashtëm të Senatit, në një seancë kushtuar rajonit të Ballkanit.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara e inkurajojnë edhe Kosovën, edhe Serbinë që të bëjnë lëshime, për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Palmeri ka ka bërë thirrje Kosovës që të anulojë taksën e vendosur ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, vitin e kaluar, e cila edhe është bërë shkak për ndërprerjen e bisedimeve.

Nga Serbia, ai kërkoi që të heqë dorë nga “fushata për të delegjitimuar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar”.

Në muajin gusht, Departamenti amerikan i Shtetit e ka emëruar Palmerin përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, me mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka emëruar Richard Grenellin të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në moshën 40-vjeçare kampionia belge Marieke Vervoort i dha fund…