Palmeri mbledh në takim liderët institucionalë, opozitës dhe përfaqësuesit e serbëve
Zëvendësndihmëssekretari i shtetit amerikan, Mathew Palmer, ka bërë sot bashkë në një takim liderët institucionalë, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj, liderët dhe përfaqësuesit e opozitës si dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Këtë e kanë konfirmuar për “Klan Kosovën” disa burime.
Në takim, pos kryeparlamentarit dhe kryeministrit kanë qenë të pranishëm liderët opozitarë, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, Agim Veliu si përfaqësues i LDK-së dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Goran Rakiq dhe Sllobodan Petroviq.
Sipas asaj që ka marrë vesh “Klan Kosova”, temë e këtij takimi besohet të ketë qenë dialogu me Serbinë.
Zëvendësndihmëssekretari i shtetit amerikan, Mathew Palmer, është duke qëndruar në Kosovë që dy ditë. Ai ishte i pranishëm edhe në ceremoninë zyrtare të 20-vjetorit të çlirimit.