Palmeri: Vendimi për Berishën, mjet i luftës së ShBA-së kundër korrupsionit

20 maj 2021 | 16:33

Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer i ka thënë “Zërit të Amerikës” se vendimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken për të përcaktuar publikisht ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha si të përfshirë në korrupsion, është një prej mjeteve që ShBA-ja vë në përdorim për të luftuar korrupsion.

“Ky është një ndër instrumentet që ne kemi për të luftuar korrupsionin publik. Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, ka deklaruar zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit.

Ai ka theksuar se Sali Berisha ka abuzuar me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten. “Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, është shprehur Palmer.

Zyrtari i lartë amerikan u pyet edhe në lidhje me kohën e publikimit të këtij vendimi për ish-kryeministrin Berisha.

“Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumente që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, ka thënë Palmer.

Të mërkurën Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka njoftuar se u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë dallime serioze, por ende…