Palushi: S’do të ketë rritje të çmimeve nga kompania ime
Pronari i “Frutex”, Shaqir Palushi, i cili është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj, duke filluar nga regjioni, Evropa dhe Azia, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina është vendim i duhur dhe i mirëseardhur për prodhuesit vendorë.
Sipas tij, edhe pse taksa prej 10 përqindësh është simbolike, është një indikacion që u është dhënë vendeve të rajonit, se edhe prodhuesit nga Kosova duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe mos të shkelen marrëveshjet e CEFTA-s dhe MSA-së.
“Qeveria e Kosovës e ka marrë një vendim të domosdoshëm pasi që vendet e rajonit duhet ta kenë parasysh pozitën tonë dhe të na trajtojnë në mënyrë të barabartë”, ka thënë Palushi. Ai ka thënë se nga kjo taksë mund të kenë kosto prodhuesit vendorë për shkak të importimit të lëndës së parë mirëpo, pavarësisht prej kësaj, ai ka thënë se interesi i Kosovës është para interesit të biznesit të tij.
“Edhe pse ne si biznes prodhues mund të prekemi nga çmimet, pasi importojmë lëndën e parë, interesi i Kosovës është më i madh sesa interesi im privat. Unë si prodhues vendor jam i gatshëm ta bart këtë kosto sepse interesi i Kosovës është shumë më i madh sesa i kompanisë”, u shpreh ai.
Palushi në këtë intervistë ka garantuar se, pavarësisht prej situatave që do të vijnë, biznesi i tij nuk do t’i rrisë çmimet e mallrave, por do të shikojë të gjejë alternativa për importime të lëndës së parë. “Ne jemi të gatshëm ta bartim këtë kosto, duke mos i rritur edhe çmimet në treg. Kjo masë duhej të merrej edhe më herët. Kompania ime nuk do t’i rrisë çmimet. Ne do t’i zvogëlojmë të hyrat tona dhe do të gjejmë alternativa të tjera”, ka deklaruar Palushi.
Ai ka përmendur edhe sfidat që kanë pasur si eksportues për shtetet në fjalë. “Ne kemi eksporte në Bosnje dhe Serbi. Një gjë nuk ka qenë e pamundur, por me vështirësi. Mirëpo, prapëseprapë importi është më i madh. Ne kemi pasur telashe, pra nuk ka qenë e pamundur, por jemi përballur me barriera të shumta për ta dërguar lëndën e parë në këto shtete, pasi produktet nga Kosova kalojnë me vështirësi. Për të eksportuar një produkt në Serbi së paku një herë në gjashtë muaj produktet tona duhet t’i dërgojmë në terminale në Serbi, t’i shkarkojmë në mënyrë që të qëndrojnë atje 10 deri në 12 ditë derisa të kryhen analizat”, ka thënë ai.
Palushi ka apeluar te Bashkimi Evropian që mos të bëjë presion te Qeveria e Kosovës, por te pala serbe pasi, sipas tij, pala serbe i ka shkelur marrëveshjet ekonomike. “Adresa e presioneve do të duhej të ishte Serbia nga ana e Bashkimit Evropian dhe jo Kosova, pasi prej vitesh ne përballemi me vështirësi të eksporteve të produkteve tona”, ka thënë pronari i “Frutex”, Shaqir Palushi.