Pamja ime e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë
Haki Morina ka folur për librin e vet të fundit “Jetë në rrugëtim”.
Ai ka treguar se nevoja e ndriçimit sa më të madh të historisë sonë, të rrugës deri te liria, ishte shtysa më e rëndësishme që i ka dhënë forcë për ta shkruar këtë libër.
Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, Morina ka treguar se qëllimi i këtij libri ishte që përmes jetës së tij ta pasqyrojë jetën e qindra e mijëra djemve e vajzave shqiptare që kanë sakrifikuar për lirinë.
“Epoka e re”: Këto ditë keni botuar një libër memoaristik. Ç’ju shtyri ta shkruani?
Morina: Ishin lexuesit motivi kryesor. Pa insistimin e disa lexuesve as që do të botohej ky libër. Natyrisht, edhe ideja ime, për nevojen e ndriçimit sa më të madh të historisë sonë, të rrugës sonë deri te liria, ishte shtysa e dytë e rëndësishme që më dha forcën për të shkruar këtë libër. Kjo tregon se çfarë roli ka lexuesi në krijimtarinë letrare. Tekefundit, pa lexues s’ka as letërsi.
“Epoka e re”: Meqë libri juaj “Jetë në rrugëtim”, në masë të madhe dominohet nga hetuesia dhe burgu, cili është “krimi” për të cilin jeni hetuar dhe dënuar në bazë të ligjeve të kohës?
Morina: Krimi është shumë i rëndë, tepër monstruoz (haha). Ku kishte krim më të madh për jugosllavët sesa përpjekja për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të shtypur e të shfrytëzuar?! Krimet tona ishin krime që duhej të bëheshin ose, më mirë të them, ishin krime që i kërkonte koha, ishin krime, pa të cilat, ëndrra jonë për liri e pavarësi do të ndërpritej.
“Epoka e re”: Sa kemi mundur të shohim, libri përmban rrëfime rrënqethëse nga periudha e hetuesisë në UDB dhe qëndrimit tuaj nëpër burgje. Si e keni përjetuar kthimin në atë kohë gjatë shkrimit të librit?
Morina: Kthimi në kohë, aq më tepër kur kjo bëhet pas 37 vjetësh, në radhë të parë është i rëndë intelektualisht për ta kujtuar kronologjikisht atë kohë. Por, kthimi në kohë të rëndë shkakton edhe emocione dhe situata shpirtërore të pazakonshme. Është si ta shohësh një film me elemente trishtuese, por edhe me përpjekje të forta të cilat herë të bëjnë të mërzitur e herë krenar. Shpeshherë çuditesh me vetveten, ose me personazhin tënd, se si ka mundur të përballohet, në një moshë aq të re, gjithë ai mundim.
“Epoka e re”: Ku gjenden tani dhe dini gjë çfarë bëjnë figurat kryesore të librit: udbashët dhe gjyqtarët shqiptarë, të përmendur në libër me emra, si dhe autori i librit, Haki Morina?
Morina: Nuk jam marrë shumë me jetën e tyre pas çlirimit të atdheut. Kam menduar se shteti është institucioni kompetent që do të merrej me drejtësinë e jo individi. Atë çka di është nga ajo çfarë më kanë thënë të tjerët. Dhe kam dëgjuar që ata janë stabilizuar në jetën e tyre, duke qenë nganjëherë edhe të privilegjuar nga politika jonë e pasluftës. Arsyet pse ka ndodhur kjo janë të shumta, por nuk mendoj se kjo është intervistë për të analizuar këtë çështje shoqërore e politike.
“Epoka e re”: Si ia arrini të mbijetoni në mërgim?
Morina: Për mua dhe të tjerët si unë, mërgimi nuk është vendi më i mirë për ta përmbyllur jetën. Ne u rritëm dhe u kalitëm në përpjekje për lirinë e vendit, për një jetë më të mirë për popullin, për një të ardhme më të ndritur të atdheut. Dhe, pas realizimit, qoftë edhe të pjesërishëm të këtij ideali, nuk është e lehtë të jesh i detyruar të jetosh në një vend tjetër.
Njeriu që ka dhënë shumë për atdhe kurrë s’mund të ndihet i “peshuar” në një vend tjetër, siç mund të ndihet në atdheun e tij. Por janë ca rrethana, të cilat kësaj radhe s’do të ndalem për t’i përshkruar, ato që krijojnë paradokse të tilla, siç ka ndodhur me mua dhe me qindra të tjerë si unë.
“Epoka e re”: E kanë merituar këta udbash dhe gjyqtarë shqiptarë faljen tuaj dhe të ish të burgosurve të tjerë politikë të Kosovës?
Morina: Në një vend demokratik dhe të civilizuar, në raste të tilla, s’ka pse të ekzistojë as falja e as hakmarrja. Në vendin ku jetoj, në Zvicër, asnjëherë nuk i kërkohet viktimës falje për kriminelin. Krimineli përgjigjet para drejtësisë dhe këtu merr fund gjithçka. Asnjë ligj pozitiv, në botën e civilizuar, nuk lejon hakmarrjen. Dhe unë jam për zbatimin në jetë të këtyre ligjeve.
“Epoka e re”: Cili është mendimi juaj për mungesën e ligjit të lustracionit në Kosovë?
Morina: Nuk jam njohës i mirë i çështjeve juridike të cilat e rregullojnë këtë problematikë. Por, mund të them se një ligj i tillë nuk ka mundur të zbatohet deri tani, të paktën jo 100 për qind, edhe për shkak të disa rrethanave të veçanta shoqërore, por edhe për shkak të marrëdhënieve armiqësore me Serbinë. Pa marrëveshje me këtë shtet, zor që mund të dalë gjithçka në dritë, sepse dihet që dosjet më të rëndësishme të krimeve duhet të jenë në arkivat e Beogradit. Sidoqoftë, një lloj lustracioni ka mundur dhe mund të bëhet, sepse zyrtarët që kanë punuar në disa institucione, janë emra të njohur dhe se veprimtaria e tyre s’ka qenë e fshehtë, por publike. Për shembull, inspektorët e Sigurimit Shtetëror kanë qenë emra publikë dhe populli i di kush kanë qenë.
“Epoka e re”: E keni përfunduar rrëfimin për rrugëtimin e jetës suaj apo do ta vazhdoni edhe më tutje?
Morina: Si çdo njeri që nuk është ndalur asnjëherë në jetë, në përpjekjet e tij për liri dhe barazi kombëtare e shoqërore, rrëfimi i tij nuk mund të ndalet në një moshë ende pa i mbushur të 30-tat, siç ndalet rrëfimi im në këtë libër. Edhe pse në vazhdimin e përpjekjeve të mia jetësore nuk kam më burg, hetime e tortura, mendoj se nuk është më pak e rëndësishme dhe jointeresante sesa pjesa e “parë” e rrëfimit që është pasqyruar në këtë libër.
Mendoj se vazhdimi i shkrimit të plotë të këtij libri, i cili natyrshëm duhet të kishte edhe dy pjesë të mëdha, ajo e viteve ’90-ta, deri në largimin e Serbisë nga Kosova dhe ajo e pas çlirimit, do të jepte një pamje më të plotë të rrugëtimit tim jetësor. Mendoj se rrugëtimi im është rrugëtimi real i Kosovës, me plot pengesa e vështirësi, me plot sfida e kundërthënie të paparashikuara.
Qëllimi im nuk ishte thjesht ta publikoj jetën time. Qëllimi im ishte që përmes jetës sime ta pasqyroj jetën e qindra e mijëra djemve e vajzave shqiptare që sakrifikuan tërë jetën për lirinë. Pra qëllimi im ishte ta jap një pamje “filmike”, sa më origjinale, të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.