Pamje brenda takimit mes Kurtit dhe presidentit Macron në Pallatin Presidencial Elysee
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Francs, Emmanuel Macron, po zhvillojnë një takim bilateral në Pallatin Presidencial Elysee.
Kurti dhe Macron po bisedojnë lidhur me temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën e Kosovës drejt integrimeve Evropiane.
Para takimit, Kurti tha se një situatë e re politike po krijohet, e gjithashtu përmendi edhe vizitën e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në Bruksel.
“Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Një situatë e menduar më mirë, me pjesëmarrje më të artikuluara, më të drejtpeshuara dhe me një besim më të lartë. Dhe në një situatë të tillë, ne do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona edhe në rajon, me marrëdhënie të mira miqësore edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane”, është shprehur Kurti.
Ndërsa Macron ftoi Kosovën dhe Serbinë të gjejnë një kompromis që të drejtohen nga e ardhmja evropiane.
“Unë i ftoj Kosovën dhe Serbinë për t’u angazhuar si evropianë në gjetjen e një kompromisi që do t’i bëjë Beogradin dhe Prishtinën të kthehen drejtë një të ardhmeje evropiane”, ka thënë Macron, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para Pallatit Elysee.
Gjithashtu, kryeministri Kurti pritet të kërkojë nga presidenti Macron përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave.
Ftesën për takim, presidenti Macron ia kishte dërguar para tre muajsh kryeministrit Kurti, pasi ai kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris pas marrjes së detyrës si kryeministër./Express/