Pamje të frikshme nga tërmeti i ri në Turqi (tri video)
Gjashtë persona humbën jetën si pasojë e lëkundjeve të tërmetit këtë të hënë në Turqinë jugore në kufi me Sirinë. Dy prej lëkundjeve ishin mjaft të forta me magnitudë 6.4 dhe 5.8 ballë që goditën provincën Hatay. Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se përpos gjashtë jetëve të humbura, ka edhe 213 të plagosur që janë dërguar në spital.
Kanë rinisur operacionet e kërkimit në 3 ndërtesa të shembura. Mes viktimave është një grua që humbi jetën nga rrëzimi i një blloku betoni që i ra në kokë në qytetin e Samandag. Të lënduar janë shënuar edhe në Siri, në Alepo dhe Idlib. Lëkundjet u ndjenë jo vetëm në Siri, por edhe në Liban, Irak, Izrael dhe Rripin e Gazës.
“Fatkeqësisht disa shtëpi janë shembur. Njerëzit kanë mbetur nën rrënoja”, – tha guvernatori i Hatay, Lutfu Savas, duke shtuar se ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendngjarje për t’i ndihmuar. “CNN Turk” raportoi se një foshnjë 1-vjeçare ka mbetur nën rrënoja. Guvernatori i Adanas tha se në qytetin e tij nuk raportohet për dëme pas lëkundjeve të fundit.
“Deri më tani ka pasur 6414 pasgoditje që nga 6 shkurt. Dua t’ju kujtoj edhe një herë se qytetarët e kanë të ndaluar të hyjnë në ndërtesa të rrezikshme për të larguar mallra” – tha një nga zyrtarët.
Nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 që tronditi të njëjtën zonë më 6 shkurt, 41 mijë njerëz vdiqën në Turqi dhe rreth 6 mijë në Siri. Më shumë se 1 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë.