Pamje tronditëse: Momentet kur shqiptari godet me thikë italianin në një qendër bastesh (VIDEO)
Një sherr në një qendër bastesh në Itali mes një shqiptari dhe një italiani çoi në plagosjen rëndë të këtij të fundit. Ngjarja ndodhi pasditen e 1 prillit në Villagrazia di Carini, Palermo, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës, mediat italiane kanë publikuar pamjet e sherrit në fjalë.
E gjithë skena e rëndë është kapur nga kamerat e sigurisë. Në to, 44-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë publik, godet me dhjetëra herë italianin 52-vjeçar. Ky i fundit tenton të mbrohet me duar derisa bie përtokë.
Në vendngjarje ndodheshin dëshmitarë të shumtë. Ishin ata që njoftuan dhe policinë. Shqiptari u arratis menjëherë pas ngjarjes për t’u arrestuar rreth 24 orë më pas. Sa i takon të plagosurit, ai u dërgua në gjendje të rëndë në spital ku dhe ndodhet aktualisht. Përveç plagëve të shumta në bark, 52-vjeçari ka marrë dëmtime edhe në kraharor e krahë.
Mediat fqinje shkruajnë se dyshja janë fqinj dhe shkak për sherrin dyshohet të jenë bërë mosmarrëveshjet që kishin me njëri-tjetrin pikërisht me jetesën në të njëjtën ndërtesë.