Pamjet e arrestimeve dhe bastisjeve në OVLUÇK, për fat të keq, kthejnë prapa kujtesën

25 shtator 2020 | 21:13

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka reaguar për zhvillimet e fundit, ndaj bastisjeve nga EULEX-i në zyrat e OVLUÇK-së dhe arrestimit të kryetarit dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

“Asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka luftuar për emrin e tij, por vetëm në emër të idesë së lirisë. Sot, ata po privohen nga liria në mënyrë absurde”.

“Pamjet e sotme të arrestimeve dhe bastisjeve në Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fat të keq, kthejnë prapa kujtesën e kohëve më të padëshiruara”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se vrazhdësia e shfaqjes së njësive të armatosura është simbol i represionit.

“E në Kosovë, represioni ringjall vuajtjen dhe traumën e rëndë të së kaluarës që ka përjetuar populli i Kosovës, secila familje, secili qytetar. Demonstrimi i sotëm ka qenë tërësisht i panevojshëm. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër dhe luftë mbrojtëse”.

“Secili pjesëtar i UÇK-së, që është ftuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe vendore, për 21 vjet, është përgjigjur me korrektësinë absolute. Kjo gatishmëri ekziston edhe sot”, ka shkruar Ismaili.

Ai ka thënë se nuk ka nevojë për demonstrim të forcës.

“Nuk ka nevojë të provokohet nga askush dhe për asnjë qëllim kjo traditë e bashkëpunimit, e cila duhet të mbetet gjithnjë e tillë. Kosova ka qenë dhe mbetet shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, dhe ky është një fakt i njohur botërisht”.

“Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet ta njoftojnë opinionin publik për këto zhvillime shqetësuese. Qytetarët kanë nevojë për qartësi. Pasiguria e krijuar te qytetarët nga skenat e sotme është evidente. Por, në këtë kohë të sfidave të mëdha, qetësia është e domosdoshme për vendin tonë, Kosovën”, ka shkruar nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si pasojë e arrestimit të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati…