Pamjet tronditëse të rrëzimit të avionit në mes të turmës, 2 viktima 4 të plagosur (VIDEO)
Një aeroplan i cili po merrte pjesë në një shfaqje ajrore u përplas në tokë dhe mori flakë të dielën, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur katër të tjerë.
Aeroplani T-28 po fluturonte në ekspozitën ajrore Borgond në qarkun Fejer pranë Budapestit në Hungari kur u rrëzua rreth orës 15:20 me orën lokale.
Aeroplani i tipit Trojan T-28 i Ushtrisë Amerikane ishte ndërtuar në vitin 1951, raporton DailyMail.
Piloti dhe pasagjeri, 67 dhe 37 vjeç, vdiqën të dy, ndërsa tre persona në një makinë pranë vendit të përplasjes pësuan djegie të rënda dhe u shtruan në spital, tha policia.
Mësohet se është lënduar edhe një djalë i vogël në tokë. Një video po qarkullon në mediat sociale ku tregon momentin e përplasjes së aeroplanit. Njerëzit që e kanë parë këtë ngjarje janë tmerruar.
“Aeroplani i vogël u rrëzua pranë një makine të parkuar dhe mori flakë. Mijëra njerëz në vendngjarje filluan të largoheshin nga vendi në mënyrë të organizuar”, tha policia.
Shkaku i përplasjes nuk dihet menjëherë, ndërsa identiteti i të vrarëve dhe të plagosurve nuk është bërë publik.