Pamkos: Punëtorët e kompanive të pastrimit duhet të përfshihen në programin për rimëkëmbje

22 janar 2021 | 16:34

Asociacioni Pamkos ka vlerësuar se përkundër angazhimit të lartë të kompanive regjionale të mbeturinave në këtë kohë pandemie, sërish puna e tyre nuk është duke u vlerësuar dinjitetshëm prej institucioneve dhe si rrjedhojë kanë kërkuar përkrahje financiare dhe përfshirje në Programin për Rimëkëmbje për vitin 2021.

Sipas Pamkos-it, përgjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë dhe përkundër rrezikshmërisë së lartë në punë, punëtorët nëpër të gjitha kompanitë e pastrimit kanë shtuar intensitetin e tyre të punës, ku përpos grumbullimit të rregullt të mbeturinave, ata njëherësh maksimalisht janë angazhuar në pastrimin e vazhdueshëm të hapësirave publike me qëllim ruajtjen e shëndetit publik nga pandemia, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve në nivel vendi.

“Andaj, si asociacion i Kompanive Regjionale për menaxhimin e mbeturinave Pamkos, i bëjmë thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminojnë punëtorët e kompanive të pastrimit dhe të rishqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së punëtorëve të kompanive të grumbullimit të mbeturinave në kuadër të Programit për Rimëkëmbje për vitin 2021, të cilët gjatë punës së tyre të pandalshme në bartjen dhe grumbullimin e mbeturinave kanë qenë dhe janë të ekspozuar në shkallë të lartë drejtpërsëdrejti ndaj rrezikut të pandemisë (Covid-19) dhe deri më tani kanë qenë të diskriminuar dhe anashkaluar totalisht duke mos iu atribuuar asnjë përfshirje në pakon emergjente, si dhe në ofrimin e ndihmës ndaj Kompanive Regjionale të Mbeturinave (KRM-të) dhe Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë (KMDK) në mbulimin e shpenzimeve operative të kompanive, me qëllim që të mund ta përballojmë situatën e rëndë të krijuar në to”, thuhet në reagimin e Pamkos, duke theksuar se punonjësit në kompanitë e bartjes dhe grumbullimit të mbeturinave, si një prej sektorëve esencialë për ruajtjen e shëndetit publik, kanë nevojë të trajtohen me dinjitet, pagë dhe kushte më të mira të punës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike parasheh edhe subvencionimin e konsumatorëve të…