PAN-i, LDK-ja dhe LV-ja duhet t’i kenë nga dy anëtarë në KQZ
Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, e ka vlerësuar të paprecedent mosfunksionalizimin e KQZ-së deri më tani.
Ai ka thënë se përfaqësimi i subjekteve politike në këtë institucion të pavarur nuk duhet të ndodhë mbi bazën e dëshirës së partive, por mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Dushi ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet të veprojë sipas formulës së njohur deri më tani.
“Kjo nuk mund të trajtohet si dëshirë apo vullnet i subjekteve politike. Kemi tri subjekte politike që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit nacionale: koalicionin PAN, Lëvizjen Vetëvendosje dhe koalicioni që e udhëheq LDK-ja. Kështu që, gjashtë vendet e parapara për komunitetin shumicë shqiptar në këtë institucion duhet të ndahen në mes të këtyre tri subjekteve politike, që nënkupton se secila prej tyre duhet t’i këtë nga dy përfaqësues”, ka thënë Dushi.
Ai i ka ftuar subjektet politike që ta lënë të qetë presidentin e Kosovës në zbatimin e formulës kushtetuese që e kemi para vetes.
Dushi ka vlerësuar se presidenti i vendit është dashur të veprojë në funksionalizimin e KQZ-së menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2017.
Sipas tij, shefi i shtetit e ka obligim kushtetues funksionalizimin e institucioneve kushtetuese.
“Atëherë është dashur të veprojë presidenti dhe t’i emërojë anëtarët e KQZ-së në përputhje me rezultatin e atyre zgjedhjeve, siç kërkohet nga Kushtetuta e Kosovës dhe siç kërkohet nga Ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Edhe pas kësaj kohe, mbetet e njëjta pengesë. Mendoj se presidenti i Kosovës duhet të veprojë me shpejtësi në kuptimin e funksionalizimit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për vendin”, është shprehur ai.
Dushi ka paralajmëruar se nëse nuk vepron presidenti Thaçi në këtë drejtim, opozita pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)