PAN-i, LDK-ja dhe LV-ja duhet t’i kenë nga dy anëtarë në KQZ
Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, e ka vlerësuar të paprecedent mosfunksionalizimin e KQZ-së deri më tani.
Ai ka thënë se përfaqësimi i subjekteve politike në këtë institucion të pavarur nuk duhet të ndodhë mbi bazën e dëshirës së partive, por mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Dushi ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet të veprojë sipas formulës së njohur deri më tani.
“Kjo nuk mund të trajtohet si dëshirë apo vullnet i subjekteve politike. Kemi tri subjekte politike që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit nacionale: koalicionin PAN, Lëvizjen Vetëvendosje dhe koalicioni që e udhëheq LDK-ja. Kështu që, gjashtë vendet e parapara për komunitetin shumicë shqiptar në këtë institucion duhet të ndahen në mes të këtyre tri subjekteve politike, që nënkupton se secila prej tyre duhet t’i këtë nga dy përfaqësues”, ka thënë Dushi.
Ai i ka ftuar subjektet politike që ta lënë të qetë presidentin e Kosovës në zbatimin e formulës kushtetuese që e kemi para vetes. Dushi ka vlerësuar se presidenti i vendit është dashur të veprojë në funksionalizimin e KQZ-së menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2017.
Sipas tij, shefi i shtetit e ka obligim kushtetues funksionalizimin e institucioneve kushtetuese.
“Atëherë është dashur të veprojë presidenti dhe t’i emërojë anëtarët e KQZ-së në përputhje me rezultatin e atyre zgjedhjeve, siç kërkohet nga Kushtetuta e Kosovës dhe siç kërkohet nga Ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Edhe pas kësaj kohe, mbetet e njëjta pengesë. Mendoj se presidenti i Kosovës duhet të veprojë me shpejtësi në kuptimin e funksionalizimit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për vendin”, është shprehur ai.
Dushi ka paralajmëruar se nëse nuk vepron presidenti Thaçi në këtë drejtim, opozita pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Natyrisht që ne presim që presidenti të ndërmarrë veprime të duhura sa më parë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës. Përndryshe, subjektet politike, siç e kanë thënë edhe më parë, janë të gatshme që çështjen ta referojnë edhe pranë Gjykatës Kushtetuese, që është institucioni i vetëm përgjegjës për të ofruar mbrojtje kushtetuese në raste të ngjashme”, ka thënë Dushi.
“Epoka e re”: Z. Dushi, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë një rezolutë për funksionalizimin e KQZ-së. Cili është vlerësimi juaj rreth kësaj çështje?
Dushi: Mbajtja e asaj seance ka qenë me vend, sepse ajo ka qenë rrjedhojë e një shqetësimi të subjekteve politike për bllokimin e një institucioni vital të Republikës së Kosovës, siç është KQZ-ja. Kam pasur rastin ta shoh përmbajtjen e asaj rezolute dhe ajo ka pasur një kërkesë që i drejtohej presidentit të vendit, si personi kompetent dhe përgjegjës, për funksionalizimin e KQZ-së. Nuk ishte diçka që subjektet politike do të duhej të hezitonin ta mbështesnin atë dokument.
“Epoka e re”: Si do të duhej të vepronte presidenti i vendit tani për ta funksionalizuar KQZ-në?
Dushi: Presidenti është dashur të veprojë qysh para një viti, menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2017. Pra, atëherë është dashur të veprojë presidenti dhe t’i emërojë anëtarët e KQZ-së në përputhje me rezultatin e atyre zgjedhjeve, siç kërkohet nga Kushtetuta e Kosovës dhe siç kërkohet nga Ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Edhe pas kësaj kohe, mbetet e njëjta pengesë. Mendoj se presidenti i Kosovës duhet të veprojë me shpejtësi në kuptimin e funksionalizimit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për vendin.
“Epoka e re”: Debati kryesor që po zhvillohet rreth kësaj çështje ka të bëjë mënyrën e përfaqësimit të partive politike në këtë institucion. Si duhet të jetë ky përfaqësim?
Dushi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ndërtohet mbi bazën e kërkesave apo të dëshirave të partive politike. KQZ-ja ndërtohet mbi bazën e një formule që është dhënë në Kushtetutën e Kosovës, e cila bazohet në rezultatin e zgjedhjeve. Në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të dhënë para pak kohe në lidhje me atë se çfarë nënkuptohet me grupin parlamentar dhe shumë aspekte të tjera që janë shumë më tepër juridike dhe aspak politike, është sqaruar kjo çështje. Prandaj, subjektet politike duhet të jenë në respekt të Kushtetutës dhe formulës që tashmë është praktikuar në kuptimin e ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Subjektet politike duhet ta lënë të qetë presidentin e Kosovës për zbatimin e asaj formule kushtetuese që e kemi para vetes. Prandaj, po e përsëris edhe një herë, kjo nuk mund të trajtohet si dëshirë apo vullnet i subjekteve politike. Kemi tri subjekte politike që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit nacionale: koalicionin PAN, Lëvizjen Vetëvendosje dhe koalicioni që e udhëheq LDK-ja. Kështu që, gjashtë vendet e parapara për komunitetin shumicë shqiptar në këtë institucion duhet të ndahen në mes të këtyre tri subjekteve politike, që nënkupton se secila prej tyre duhet t’i ketë nga dy përfaqësues.
“Epoka e re”: Ky bllokim i KQZ-së sa po ndikon në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni. Cilat janë pasoja e mosfunksionalizimit të këtij institucioni?
Dushi: E kam thënë disa herë, se mosfunksionalizimi i KQZ-së është një precedent i rrezikshëm për jetën parlamentare në Kosovë dhe për demokracinë në vendin tonë. Kurse, pasoja është më tepër teknike/organizative, ku kemi dhjetëra asamblistë nëpër gjithë Kosovën që presin me muaj të tërë të zëvendësohen, po ashtu kemi edhe një deputet në Kuvendin e Kosovës që pret të zëvendësohet. Pra, kemi mosfunksionim në kuptimin e detyrave të tjera që duhet të zhvillohen brenda KQZ-së, siç është ndarja e fondit për subjektet politike, që ka ndikuar drejtpërdrejt në stagnimin e shumë proceseve brenda subjekteve politike. Prandaj, po them se pasojat janë të rënda me mosfunksionalizimin e KQZ-së, mbi të gjitha në kuptimin politik dhe juridik. Kjo është diçka e paprecedent që presidenti nga roli i tij për ta mbikëqyrë dhe garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, shndërrohet në personin i cili praktikisht nuk po e bën funksionalizimin e këtij institucioni deri më tani.
“Epoka e re”: Në bazë të rrethanave të krijuara, kur pritni që presidenti ta bëjë funksionalizimin e këtij institucioni?
Dushi: Natyrisht, ne presim që presidenti të ndërmarrë veprime të duhura sa më parë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës. Përndryshe, subjektet politike, siç e kanë thënë edhe më parë, janë të gatshme që çështjen ta referojnë edhe pranë Gjykatës Kushtetuese, që është institucioni i vetëm përgjegjës për të ofruar mbrojtje kushtetuese në raste të ngjashme.
Muhamet KOCI