Panairi bën bashkë gratë ndërmarrëse të Vitisë dhe Dragashit
Në kuadër të “Javës së Ndërmarrësisë” në Viti është mbajtur të premten një panair, në të cilin janë ekspozuar produktet prodhuese dhe veprimtari të tjera biznesore nga gratë e kësaj komune dhe të komunës së Dragashit.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit: “Zhvillimi i Integruar Territorial (Interdev 2)”, financuar Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe implemntuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Në emër të institucioneve komunale, të pranishmit i ka përshëndetur nënkryetari i Vitisë, Hasan Aliu, i cili ka uruar gratë për punën e vazhdueshme që janë duke bërë.
Ai ka inkurajuar organizatorët e ngjarjeve të këtilla, që jo vetëm në javën e ndërmarrësisë, por edhe ditëve tjera të organizohen aktivitete të kësaj natyre.
Kurse Arsim Haziringa nga ADA-ja ka vlerësuar bashkëpunimin me Komunën e Vitisë dhe UNDP, duke u zotuar se edhe në të ardhmen do mbështesin iniciativa që kanë për interes avancimin e grave.
Në këtë panair është folur edhe për parandalimin e dhunës ndaj gruas.
Në Komunën e Vitisë veprojnë 1 845 biznese me veprimtari të ndryshme, ku pesë për qind e tyre udhëhiqen nga gratë.
/Epoka e re/