Panairi ‘e JONA’ në Gjilan promovon bizneset shqiptare
Panairi dhe festivali mbarëkombëtar ‘e JONA’ për herë të parë organizohet në Gjilan në datat 27, 28 dhe 29 korrik.
Pjesëmarrësit në këtë panair do të jenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve të trevave shqiptare.
Në këtë vit të nisjes së kësaj tradite, komuna e Gjilanit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështesin 90% të shumës së pjesëmarrjes së bizneseve në panair.
Bizneset pjesëmarrëse mbulojnë veprimtari si:
• Agrobiznes, ushqim dhe pije
• Ndërtim, arkitekturë dhe paluajtshmëri
• Teknologji informative (IT)
• Turizëm dhe kulturë
• Edukim
• Institucione
Përveç panairit biznesor, gjatë kësaj periudhe në Gjilan do të ketë edhe panair shitës në qendër si dhe festë të birrës, verës, dhe ushqimit nën tingujt e koncerteve të ndryshme, për 3 ditë me radhë. Performuesit në koncerte do të publikohen së shpejti në rrjetet sociale të eventit ‘e JONA’.
Prodhuesit shqiptarë kudo që janë, tashmë do të mblidhen në një vendtakim.
Bizneset do të kenë mundësinë të njoftohen rreth veprimtarisë së njëri tjetrit dhe të ndërtojnë marrëdhënie bashkëpunimi për shkëmbimin, shpërndarjen dhe promovimin e ndërsjellë të produkteve të veta në mbarë tregun shqiptar.
Synimi i panairit ‘e JONA’ është që të shndërrohet në panair të përvitshëm dhe traditë, ku çdo vit do të synohet rritja e ekspozuesëve dhe mysafirëve, duke ndikuar kështu në rritjen ekonomike në regjionin e Anamoravës.
Thirrja është e hapur për pjesëmarrje të bizneseve, ndërsa panairi do të jetë i hapur edhe për vizitorë, pa pagesë.