Panairi i librit të vjetër, më 11, 12 dhe 13 dhjetor në Prishtinë

04 dhjetor 2024 | 10:15

Edicioni V i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur do të hapet të mërkurën e ardhshme në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Gjatë tri ditëve të panairit, që do të organizohet me datë 11, 12, 13 dhjetor, përpos paraqitjes së librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, do të organizohen edhe disa aktivitete letrare.

Koordinatori i aktiviteteve të këtij panairi, Berat Armagedoni, mbrëmë ka njoftuar: “Mundësitë financiare për ta organizuar edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur në ndonjë shesh të Prishtinës, në prag të festave të fundvitit, nuk i kemi siç i kanë disa organizata që organizojnë panaire librash dhe festivalesh me fonde të mëdha të mbështetjes e me pjesëmarrje materiale të botuesve. Meqë institucionet mbështetjen për librin e vjetër dhe të rrallë e kanë shkurtuar, edhe ne e kemi ngushtuar hapësirën, por jo programin. Në këtë muaj kur sheshet e Prishtinës janë mbushur me shtëpiza të drurit e me pemë të Vitit të Ri e me qytetarë, bibliotekave u duhen ngrohtësi. E ngrohtësi për ta organizuar edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur gjetëm në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, tek organizata “Etea”, te drejtoresha Naime Beqiraj dhe tek Agon A. Ahmeti, në lagjen “Dardania”, të cilët i falënderojmë për mbështetjen ashtu sikurse i falënderojmë Ministrinë e Kulturës dhe komunën e Prishtinës, veçanërisht dy drejtoreshat, Jehona Shytin dhe Sibel Halimin.

Do të donim që këtë edicion të panairit ta organizonim në sheshin “Zahir Pajaziti” ose në sheshin “Nënë Tereza” ose në sheshin “Skënderbeu”. Sheshet janë zënë nga bizneset e institucionet vonë e kanë dhënë mbështetjen. Edhe po ta jepnin muaj më parë s’do të mund ta organizonim në ndonjërin shesh. Pse? Sepse vetëm shërbimi për stenda, më i liri, ashtu siç e kemi pasur hapësirën vjet në “Zahir Pajaziti”, po kushton 6 000.00 euro. E ne e kemi vetëm gjysmën e kësaj shume. Prandaj, hapësirë, për t’i paraqitur 4 000 libra të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, e për t’u bërë vend për paraqitje të botimeve të rralla edhe koleksionuesve të tjerë të antikuarëve, nuk kemi sikurse kemi pasur vjet e parvjet në sheshin “Zahir Pajaziti”. Këtë herë do t’i paraqesim vetëm disa botime të rralla në galerinë e organizatës “Etea” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” dhe gjatë ditëve të panairit do të organizojmë bashkëbisedime me shkrimtarë dhe do të përurojmë vepra dhe libra. Do ta organizojmë këtu për ta vazhduar traditën e tij dhe për t’u dhënë një vërejtje publike institucioneve qendrore dhe lokale, të cilat, për një botim të librit japin deri në 13 000.00 euro e për një panair të librit, në të cilin, përpos paraqitjes së librave të vjetër e të rrallë, të cilat nuk i ka as Biblioteka Kombëtare e Kosovës, as bibliotekat lokale, organizojmë edhe përurime librash, veprash, bashkëbisedimesh, punëtorish, botojmë edhe dy përmbledhje librash, një me poezi, një me prozë, të cilat poezi dhe tregime e fragmente të prozave, i lexojmë gjatë ditëve e netëve të panairit.

Falënderim të veçantë e të përzemërt kemi për mysafirët:

Profesor Fadil Hysajn, me të cilin do të bëjmë një bisedë për krijimtarinë dramatike dhe për teatrin.

Profesor Bajram Kosumin, me të cilin do të bëjmë një bisedë për krijimtarinë letrare të tij.

Poetin Bedri Zyberaj, me të cilin do ta përurojmë librin e tij “Vetëm me vetminë”.

Publicistin dhe studiuesin Agron Shala, me të cilin do ta përurojmë librin e tij të fundit dhe të bashkëbisedojmë me dhe për të.

Mysafirët e tjerë të këtij festivali, edhe aktivitetet e tjera, edhe orarin e bashkëbisedimeve e përurimeve, do t’i shpalosim nga e enjtja në rrjete sociale dhe në medie.

Shihemi shpejt!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila drejtohet nga Ali…