Panairi i Librit të Vjetër po përpiqet t’i ruajë dhe shërojë “librat e plagosur”

11 dhjetor 2024 | 18:52

Është hapur sot, në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, edicioni V i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, i cili do të vazhdojë deri të premten.

Moderatorja e këtij panairi, poetja Alketa Gashi Fazliu, përmendi sfidat me të cilat janë ballafaquar organizatorët gjatë edicioneve të deritashme: “Libri, të paktën neve këtu, na bën bashkë kudo në çdo muaj dhe në çdo hapësirë. Koordinatori i aktiviteteve letrare të këtij panairi, Berat Dakaj, po përpiqet që muajin dhjetor ta bëjë festë edhe të librit. Të librit të vjetër dhe të përdorur që, mbase, për shumë të pranishëm këtu, ka vlerë shumë më të madhe sesa që ka libri i ri sa për shkak të përkujdesjes dhe vëmendjes së botimit që i është kushtuar atëkohë nga redaktorët, lektorët, recensentët, sa për shkak të rrethanave të veprimtarisë botuese që nuk kanë qenë aspak të lehta para gjysmë e para një shekulli. Sigurisht e dini që një herë e një kohë librat edhe janë shtypur në shtypshkronja ilegale, edhe janë lexuar fshehtas. Halë në sy, për ish-pushtetin serb në Kosovë, ishte libri shqip. Shtypi, leximi dhe përhapja e tij. Disa prej atyre librave që kanë qenë halë në sy për atë pushtet, sot i keni në këtë panair të veçantë. Disa prej autorëve dhe botuesve të tyre ende jetojnë, disa ka kohë që kanë ndërruar jetë, të përvuajtur gjatë. Pavarësisht prej rrethanave të tyre për shkrim dhe për shtyp të librave, izolimit dhe përndjekjes së autorëve dhe librit, libri shqip ka shtegtuar nëpër shumë rreziqe dhe sot ai dhe fjala e folur dhe e shtypur gëzojnë liri. Vështirësi, shumë më të lehta se në atë kohë, kryesisht financiare, ka edhe sot për organizim të ngjarjeve të tilla. Se si e ka nisur këtë panair, se sa mund ka dhënë dhe jep për librin, ftoj për një fjalë të shkurtër koordinatorin e aktiviteteve të panairit, Berat Armagedonin”.

E koordinatori i aktiviteteve të panairit, Berat Armagedoni, lexoi një tip eseje që kishte shkruar për këtë edicion. Ndër të tjera, ai tha se “e kemi provuar acarin e dhjetorit dhe vapën e korrikut e të gushtit”. “Çdoherë u kemi bërë rojë librave të vjetër, sepse po çdoherë i kemi mbledhur me vështirësi nëpër tregje të automjeteve, përskaj kontejnerëve, nëpër bodrume dhe banesa të disa trashëgimtarëve që, pasi u ndërronin jetë paraardhësit, të parat sende të pleqve që nxirrnin nga banesat që i rinovonin ishin librat që i jepnin për pak para e disa të tjerë, që ua dinin vlerën kujtimeve të prindërve, kërkonin shumë. Kemi blerë libra me thasë. Me pako. Kutrum. Në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Lipjan, Prizren, Tiranë, Shkodër… kudo. Disa i kemi shpëtuar nga djegia, disa nga përmbytja, disa nga kalbja. E kemi paguar një libër një euro, por e kemi paguar një libër edhe treqind euro. Disa i kemi shëruar, disa i kemi lënë ashtu siç i kemi marrë, edhe me nënshkrime të dhuruesve. Disa i kemi paraqitur këtu, disa i kemi lënë në magazinë për t’i paraqitur në ndonjë edicion tjetër e në ndonjë hapësirë të madhe. E këtë hapësirë të brendshme, në këtë objekt të bibliotekës, e provuam sot. Po vend më të mirë, më të ngrohtë e bashkëpunim më të mirë sesa me Naimen e ‘Hivziut’ dhe me Agonin e ETEA-s në këtë dhjetor nuk gjetëm askund”, tha ai.

Ndërkaq drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, tha se kjo ngjarje e gëzon atë, mbështetësen materiale të panairit dhe çdonjërin dashamir të librit të vjetër dhe të rrallë. Ajo tha se MKRS-ja, ngjarjen që janë me traditë, të cilat e kalojnë sprovën trevjeçare, ka interesim t’i mbështesë gjithmonë. “Panairet, festivalet, aktivitetet letrare që bëjnë traditë, të paktën tri vjet që prej themelimit, MKRS-ja gjithmonë ka shprehur interesim t’i mbështesë. E dimë që përkrahja për këtë panair këtë vit ka qenë e vogël, por do ta kemi parasysh që në vitin tjetër ta mbështesim më shumë, që organizatorët, koleksionuesit e librave të vjetër, të kenë mundësi të paraqesin sa më shumë libra të tillë në ndonjë hapësirë më të madhe dhe, po ashtu,  të organizojnë aktivitete të tjera shtesë, kryesisht për librin dhe lexuesit”, tha drejtoresha Jehona Shyti.

E pranishme në këtë festival të librit ishte edhe zyrtarja për veprimtari botuese në MKRS, Valbona Lushtaku, e cila vizitoi librat e vjetër dhe të rrallë të paraqitur në këtë edicion dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim.

E mysafiri i parë i këtij edicioni, vepra e të cilit u përurua sot, Bedri Zyberaj, i përshëndeti organizatorët dhe koleksionuesit e librave. “Të organizosh një panair të tillë nuk është gjë e lehtë. Mjaft e vështirë ka qenë për secilin që ka marrë pjesë këtu, t’i mbledhë librat e vjetër, t’i ruajë, t’i shërojë dhe t’i paraqesë sot para nesh në një gjendje më të mirë. Një pjesë të këtyre librave para luftës i kam pasur në bibliotekën time personale, por më janë djegur gjatë kohës së luftës, kur nga serbët më është djegur shtëpia. Më ka mbetur, kështu i plagosur, ky i vitit 1974, të cilin sot e ruaj me kujdes të madh”, tha Zyberaj.

Gjatë tri ditëve të panairit, përpos paraqitjes së librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, do të organizohen edhe disa aktivitete letrare.

Nesër, 12 dhjetor, me fillim nga ora 11:00, do të organizohet bashkëbisedim me poetin dhe studiuesin Agim Vinca.

Ndërkaq të premten, më 13 dhjetor, me fillim nga ora 12:00, pastaj nga ora 14:00, bashkëbisedim me dramaturgun dhe regjisorin Fadil Hysaj dhe me studiuesin dhe publicistin Agron Shala, dhe do të përurohen veprat e tyre të fundit.

Fjala e plotë e koordinatorit të panairit, Berat Armagedoni

Ky fjalim nuk është ligjëratë Nobeli për letërsinë. Është ligjëratë për librin. Për librin e vjetër, të rrallë dhe të përdorur. Do të përpiqem ta lexoj për dhjetë minuta për ju, edhe do ta publikoj për ata që s’janë këtu.

Pasi që shkrimtarët vazhdimisht pyeten pse shkruani, dhe pasi që mua gazetarët vazhdimisht më kanë pyetur dhe vazhdojnë të më pyesin pse ia nisët këtij panairi, po jap këto përgjigje dhe po shpalos disa përpjekje personale për mbledhjen e këtyre librave dhe për kujdesin që kam treguar për to ndër vite. Fillimisht po ju flas për librat që i lexoja me detyrim.

Në fshatin tim të lindjes, në Caravik të Klinës, Shkolla Fillore “Esad Mekuli” në vitet ’80-’90 nuk kishte bibliotekë. Një bibliotekë personale, në odën njëkatëshe, kishte xhaxhai im jurist. I kam pasur rreth tetë nëntë vjet kur, pasi kthehesha nga shkolla, xhaxhi më thërriste në odë dhe lexonim bashkë me të: ai libra nga fusha e juridikut, unë nga letërsia. Ai më detyronte çdo ditë, nëse jo një libër, ta lexoja gjysmë libri dhe t’i flisja për të. Kur ndonjëherë ai dilte nga dera e odës, se kishte punë jashtë, unë dilja nga dritarja pak çaste pas tij, se ma mbyllte derën për lexim e, përpos lexim, unë doja edhe të luaja me shokët me top ose me kilikera. Kur nuk më gjente në odë bëhej nervoz. Ma shtonte masën e leximit. Më jepte libra për të vegjël e për të rritur. Të Dedajt, të Kikajt, të Hoxhës, të Naimit, të Çajupit, të Shirokës, të Samiut, të Nolit, të Gurakuqit, të Mjedës, të De Radës… botime të ndërmarrjes botuese Rilindja, shumë prej tyre me kapakë të fortë. Më thoshte që i ka blerë me kredi dhe që s’i ka paguar kurrë. Sërish e kam pyetur dje nëse i kishte paguar ndonjëherë. Inflacioni i ka paguar, – më tha. Të gjitha librat e asaj kohe, sidomos kjo seri e veçantë e Rilindjes për autorët e Rilindjes Kombëtare, kanë pasur pamje të bukur, autorë të mirë dhe përkujdesje të posaçme për shtyp. Kujdesin për ta e kujtoj deri në ditën e fundit të qëndrimit tonë në shtëpi gjatë kohës së luftës. Derisa gjëmonin tytat e pushkëve e përgatiteshim ta lëshonim shtëpinë, pasi i futëm në veturë vetëm gjërat personale dhe në rimorkio të traktorit i ngarkuam ushqimet, me gjyshen time, ndjesë pastë, i mbushëm disa thasë të najlonit me libra dhe i shpërndamë nëpër trupa të pemëve: të mollëve, të kumbullave, të arrave, të qershive… Ua lidhëm grykën mirë dhe i kthyem me kokë teposhtë që mos t’u hynte shiu. Përpëlitej gjyshja shtatshkurtër t’i bënte thasët sa më të padukshëm derisa i lëshoheshin lotët teposhtë lëkurës 70 vjeçe. Po ata dukeshin mjaft që nga larg. Ajo e kishte qëllimin e mirë, por jo çdo qëllim i mirë shkon mbarë. Kur u kthyem në shtëpi pasi përfundoi lufta, trupat e pemëve ishin tharë, sepse policia dhe ushtria serbe i kishin djegur thasët me libra që kishim lënë varur aty. Fillimisht u përkujdesëm ta ndërtonim çatinë e shtëpisë dhe gjithë shtëpinë e bërë shkrumb, ta fusnim kokën dhe ta pushonim trupin në të, pastaj të fusnim brenda saj libra. Por, ai që i donte librat më shumë se im atë, xhaxhi, pas luftës nuk erdhi më të jetonte në fshat. U bë banor i Prishtinës, prej atëherë e sot, i kësaj lagjes “Dardania”. Megjithatë, me të takohesha çdo ditë. Sa herë që vinte nuk sillte libra, por armaturë, blloqe dhe materiale të tjera ndërtimore në depon që hapi e me të cilën ndërkohë u bë milioner. Hoqi dorë nga libri për shkak të parave. Mirë që deri më sot nuk më ka thënë, siç ma kanë thënë shumë të tjerë, prej librave s’ka bukë dhe hair, e disa që me shaka më pyesin kur takohemi rrallë: A hala po merresh me libra, a? Po ta ndiqja xhaxhanë pas luftës nuk do të merresha me libra. Dhe, sigurisht, me një biznes si të tij, ndoshta do të isha bërë milioner. Por edhe unë jam milioner. Kam libra shumë që vlejnë miliona euro dhe që këtë pasion dhe profesion, në shenjë kujtimi të gjyshes që përpiqej t’i shpëtonte librat nga flaka, s’e ndërroj me asgjë tjetër dhe do të kujdesem përjetë.

Nëse keni durim, më dëgjoni edhe pak.

Edicionin e parë të këtij panairi e kemi nisur pesë vjet më parë po në Prishtinë në platenë e Institutit Albanologjik. Atë vit pandemia Covid-19 merrte jetë njerëzish. M’i ka marrë nga kjo botë, jo edhe nga kujtimet, edhe disa miq të mirë e të vlefshëm. Institucionet herë na izolonin disa ditë, herë disa javë. Ishte muaji tetor. Moti, si sot. As nuk bënte ftohtë, as ngrohtë. Një natë para hapjes së festivalit të librit, me disa shokë i shpërndamë tavolinat në platenë e Institutit, i shtruam librat në to dhe gjatë gjithë natës me një shok timin u bëmë roje librave. Dikur, kur ai u lodh për gjumë, më tha: Eja shkojmë flemë në banesë, burrë, se libra nuk vjedh askush. Unë i thashë se ndoshta vjen i merr ndokush për t’i djegur meqë dimri po afrohet e drutë janë shtrenjtë. Pasi i dëgjoi këto fjalë, e pasi i shkoi ndër mend se kështu mund të ndodhë, ndenji me mua deri në mëngjes në veturën që e kishim përkrah librave. Sytë katër, gjithë natën, që të dy. Në mëngjes erdhën disa mbledhës të thesareve – disa koleksionues të librave antikuarë dhe disa shitës të librave të vjetër e të përdorur nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe “Nënë Tereza” me libra në duar, në çanta shpine dhe dore. Erdhën pa asnjë obligim. Pa asnjë tarifë për hapësirë. Falas na dhanë, falas ua dhamë. Erdhi ndërkohë, atë vit kryeshef i Agjencisë Shtetërore i Arkivave i Kosovës, edhe Bedri Zyberaj me disa punonjës të kësaj agjencie dhe bashkërisht sollën 12 materialet e ekspozitës për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Nuk vonoi shumë dhe erdhi shkrimtari Adem Gashi, ndjesë pastë, me maskë në fytyrë, i cili pandemisë dhe vdekjes nuk ua kishte tutën. Gëzimi, për organizimin e panairit, për kujdesin e librave të vjetër, edhe për librat e tij botuar nga Rilindja që i shihte në tavolina, i shihej në fytyrë, por edhe e shprehi me fjalë në hapje para publikut. Erdhën pastaj edhe shumë dashamirë të librit për të parë dhe për të blerë libra. Erdhën ndërkohë shumë medie të cilat realizuan kronika të veçanta për televizione dhe për portale për panairin e ri me libra të vjetër. Ajo që shumë njerëz s’pritnin, ndodhi. Tri ditë me radhë plateja e Institutit u bë shesh i librit të vjetër. Disa njerëz vinin i “kullotnin” sytë në librat e vjetër dhe pyesnin për çmimet e tyre, disa blinin, disa shprehnin nostalgji për librat që i shihnin në tavolina e thoshin se u janë bërë shkrumb dhe hi në luftë, disa të tjerë shprehnin përshtypjet në medie dhe rrjete sociale për panairin, duke e quajtur “panair i kujtesës familjare”.

Dita atë ditë ikte vrap e nata vinte shpejt. Meqë nuk doja që librat t’i lija vetëm në dorë të Zotit, mora një gardian për to, se në mbrëmje dhe të nesërmen gjatë ditës kishim aktivitete letrare në vende të tjera. Ende i mbaj mend vizitorët e parë dhe të fundit nga edicioni i parë. Ende i mbaj mend librat e parë dhe të fundit të shitur. Ende i mbaj mend aktivitetet e atij edicioni, mysafirët, bashkëpunëtorët, ndihmëtarët materialë. Mundi për librin e vjetër ia vlejti: organizimi i panairit u prit mirë nga publiku. Na erdhën mesazhe të shumta e të mira nga profesorë, intelektualë, botues, përkthyes, librashitës dhe koleksionues. Të gjithë ata na nxitën që një vit pas ta organizojmë edicionin e dytë, pastaj të tretin, të katërtin e sot të pestin. Si përherë, me një mbështetje simbolike nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës, nga anëtarët e komisioneve të tyre, që aktivitetet kulturore, këto me traditë, nuk kanë vullnet t’i përkrahin më shumë, edhe pse e dinë që  janë të rralla, edhe pse e dinë që as kryeqyteti e as qytetet e tjera nuk e kanë një librari të librave të vjetër. Por, as atëherë e as sot, hallin as nuk e kishim e as nuk e kemi shumë për paratë. E kishim dhe e kemi këtë hall: ta gjejmë një datë të njëjtë çdo vit dhe ta organizojmë në ndonjë shesh të Prishtinës dhe t’ua japim mundësinë të gjithë atyre që merren me koleksione të librave të vjetër e të rrallë, edhe shitësve të librave në sheshe e në kushte të rënda të punës, për paraqitje të tyre. As kohën e përshtatshme, as vendin e përshtatshëm, s’e kemi gjetur deri më sot. Edicionin e dytë të këtij panairi e kemi organizuar në platenë e Teatrit Kombëtar në muajin korrik. Edicionin e tretë, në muajin dhjetor në sheshin “Zahir Pajaziti”. Të katërtin, po në këtë shesh në muajin tetor. Pra, kemi bredhur sa në një qoshe sa në një tjetër me libra dhe me të ftuar. E kemi provuar acarin e dhjetorit dhe vapën e korrikut e të gushtit. Çdoherë u kemi bërë rojë librave të vjetër, sepse po çdoherë i kemi mbledhur me vështirësi nëpër tregje të automjeteve, përskaj kontejnerëve, nëpër bodrume dhe banesa të disa trashëgimtarëve që, pasi u ndërronin jetë paraardhësit, të parat sende të pleqve që nxirrnin nga banesat që i rinovonin ishin librat që i jepnin për pak para e disa të tjerë, që ua dinin vlerën kujtimeve të prindërve, kërkonin shumë. Kemi blerë libra me thasë. Me pako. Kutrum. Në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Lipjan, Prizren, Tiranë, Shkodër… kudo. Disa i kemi shpëtuar nga djegia, disa nga përmbytja, disa nga kalbja. E kemi paguar një libër një euro, por e kemi paguar një libër edhe treqind euro. Disa i kemi shëruar, disa i kemi lënë ashtu siç i kemi marrë, edhe me nënshkrime të dhuruesve. Disa i kemi paraqitur këtu, disa i kemi lënë në magazinë për t’i paraqitur në ndonjë edicion tjetër e në ndonjë hapësirë të madhe. E këtë hapësirë të brendshme, në këtë objekt të bibliotekës, e provuam sot. Po vend më të mirë, më të ngrohtë e bashkëpunim më të mirë sesa me Naimen e “Hivziut” dhe me Agonin e ETEA-s në këtë dhjetor nuk gjetëm askund. I falënderoj për bashkëpunimin dhe hapësirën ashtu siç, për ndihmë materiale, i falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë e Kulturës të komunës së Prishtinës, dy drejtoreshat, Jehona Shytin dhe Sibel Halimin, veçanërisht Vincën, Kosumin, Zyberajn, Hysajn dhe Shalën që gjatë këtyre tri ditëve të panairit do të na flasin për librat e huaj, për jetën e vet dhe librat e vet.

U pafshim herë të tjera në veprimtari të tjera!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka kërkuar të mërkurën votëbesim…