PANAIRI I PAFUQISË
MUHAMET MAVRAJ
PANAIRI I PAFUQISË
(Prekazi, Srebrenica, Reçaku, Alepo…: Një kopje për Akademinë Suedeze. Nga Prishtina, më 10 dhjetor 2019)
Edhe një përvjetor erdhi dhe ja po shkon
politikanët i kanë dërguar fjalimet
gazetarët nuk u panë
do të publikojnë fotografi të përvjetorëve të mëhershëm
dhe fjalimet po ashtu
Drejtësia nuk ka fotografi
Tani thjesht s’dimë Si të mendojmë
me këto Trutë e Drunjta
arsyeshëm, drejt, matur, butë,
me empati, s’dimë Kush jemi
Për Çka dhe për Kënd, Ku dhe Kur dhe Pse të mendojmë
Drejtësia nuk ka fotografi
Një lëmsh përdredh lukthin e fluturës
asgjë për shqetësim
bazë nervore ka ky Asht, thotë mjeku, është kalimtare
(Thoshte libri, që mendohet i shenjtë, se
edhe njerëzit janë kalimtarë, si bari)
Gurë të fabrikuar, simetrikë, të bardhë, me majë verbues si vellot e nuseve
me simbolika, anembanë. Dhe xehnajat e fshehta që
mbulojnë gratë e fëmijët e therur nga Kolonët, në të vërtetë
që fshehin pafuqinë e mizorëve përballë pafajësisë së ngratë
thënë troç edhe mendjelehtësinë e juristëve
Ata poshtë mermerëve besonin se i mbron Karta
Konventat ndërkombëtare
Vetvetiu
secili nen, paragraf, secila fjalë, secila germë, madje
secila pikë e presje, veshur me fuqi
të mbinatyrshme
Aq më shumë që Perëndimi pat mposhtë Lindjen
se komunizmi i pat la duart një herë e mirë
befas, secili ishte i lirë. Dhe Historia mori Fund
e ngeli veç Njeriu i Fundit. I përkryeri
ideal këmbë e krye
Por, dikund dhe dikur njerëzia pat bërë gabimin fatal
mu atë ditë kur një Idiot, I Pari, nguli hurin në lëndinën e truve
dhe tha: Unë jam Tjetri! Ky territor është i imi
e atë hu Tjerët nuk ia thyen copash në shpinën e tij
Indiferentë
e spontanë si delet
shoqe pas shoqes, një e nga një
fqinjtë territorialë u hodhën
me stil dallëndyshe
në lumenjtë e damarëve, me blegërima për Hartën
Historia u rikthye! Huri i Parë mbet
i ngulur në Ndërgjegjen e Njeriut të Fundit
i cili, në të vërtetë, s’ka ekzistuar kurrë
apo s’ka lindur ende
Tash s’dimë Si duhet të mendojmë
Sekushi e vendos standardin e mendimit
e Sekushi moralin e botës a domethënien e Paqes
mendon makina në vend të trurit, teknologjia
na i fshin fajet eventuale me një prekje “delete”
Picërruar mbi ekrane të vogla duke shfletuar njëri-tjetrin fshehtas
në përvjetorë bëjmë sikur solidarizohemi
nëpër rrjetet sociale, e në rrugë nuk flasim mes vete
me rutinë patriotike e dënojmë barbarinë,
ashpër, prerazi, pa asnjë kompromis, por
ajo s’është në pranga
se qingji ka faj, siç dihet, dhe jo Ujku. Ja, sapo e mori Nobelin e radhës
Dëgjo mik-o, nuk është qeni i fqinjit territorial
po leh ashti im
jo veç në Srebrenicë, Prekaz, Reçak, Batajnicë…
në Panairin e Prishtinës,
me 1432 pemë për fëmijët e therur
dhe 20 mijë fustane në tela, radhitur në stadiumin e Prishtinës
e pafund mijëra ndër fytyra e ngjyra të tjera
Gjenerata e re e deleve nuk ka frikë
Konventat janë bari i përhershëm, universal
Karta është po ajo
Germat po aty, të shenjta, si përherë
nga një kopje për secilin mermer
secilin fustan, secilën pemë, secilin mindil
Dekadë pas dekade, blegërimë pas blegërime
shekull pas shekulli
një fëmijë shqiptar, boshnjak, kroat, kurd, një Tjetër
një grua shqiptare, kataloneze, tutsi, një çfarëdo Tjetër
mijëra mindila dhe mijëra fustane me ngjyra
në Prekaz, Srebrenicë, Alepo a Tjetërkund
s’ka rëndësi
janë konventat, është Karta
dhe mermerët e rinj që po formësohen
zbardhëlluse, plot simbolika, me gjasë simetrike edhe këto
Ato që na mungojnë i krijojmë vetë
duke u dhënë forma në qiell
me shtëllungat e reve, sipas dëshirës
një Hark Triumfi
në parakalim një Hyjneshë, një Peshore e një Shpatë prej reve
për mijëra fustanet e mindilat
që ulërijnë çdo ditë, Këtu, Atje dhe në Lindje e Perëndim
e Ashti im i leh Hanës për dy fjalë goje:
Gjenocidi është panair i pafuqisë
që e mbolli Idioti i Parë dhe
për të vuan Njeriu i Fundit që nuk ka ekzistuar kurrë
DREJTËSIA S’KA FOTOGRAFI
(15.12.2019)
Varësisht se në cilën parcelë të planetit
t’i kanë shkërmoqur fulqinjtë
T’i kanë çmontuar brinjët
Të kanë tretur në acid
Kafkën ta kanë bërë llambadar
Dhe bashkë me të u tërhoqën në atë vrimën e miut
Ke veç një faj
të lindur bashkë me ty:
Ti s’je si ata
Drejtësia s’ka fotografi
Varësisht se çfarë feje ndoqi gruaja jote
Se në cilin varr masiv ka njërën këmbë
ta kanë bërë hi
nga hiri sapun për fytyrën e humbur
të Alfredit
Dhe u tërhoqën në atë rutinën shpellare
Drejtësia s’ka fotografi
Varësisht çfarë ngjyre ke ti, çift i ri
Të kanë larë në kabinat kolektive me tush gazi
T’i kanë zgjidhur dhëmbët
T’i kanë vjedhur flokët
unazat e dashnisë t’i kanë prerë
Dhe me to u kthyen në atë zgavrën e dhelprës
Drejtësia s’ka fotografi
Vitet ngjeshen si fishekë plumbash
Dekadat palosen në kuti bombash
Mileniumi zgërdhihet me të qeshura atomike
Çmenden, fshihen nga kujtesa a vdesin dëshmitarët
Vejushat shqyejnë rrobat me gratë e tjera
gërvishtin fytyrën a hidhen nga shkëmbinjtë
Bijtë duan t’u ngjajnë etërve gjahtarë e
mohuesit e gjenocidit marrin Nobelin për Paqe
Drejtësia s’ka fotografi
Se fajet i kanë gratë e fëmijët
Civilët e strukur në faltore për një trohë shpresë
kolonat e refugjatëve drejt askundit nëpër botë
Të mbijetuarit që operohen pa anestezion
Mjekët që nuk shërojnë terpinë për territore
Karrocieri që shtyn bukën e gojës në pazar
por nënës ia shpie veç kokën e vet në darkë
Pa panik
S’po dridhet planeti
çekani i monstrës vulos vendime
Asgjë e panjohur s’po ndodh
Drejtësia s’ka fotografi
Mos u ligshto
Luftëtar i Dritës
I cilësdo fare e ngjyrë
Ti ke pas, ke dhe do të kesh gjithmonë diçka
që ata nuk dinë as ta ëndërrojnë:
Dignity!
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)