Panairi i Punës në Mitrovicë ofron rreth 500 vende të punës
Në sallën e Sporteve “Minatori” në Mitrovicë, sot u hap Panairi i Punës 2019, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës(APRK), Komunën e Mitrovicës dhe Zyrën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Në këtë edicion të Panairit të Punës, prezentë janë 55 kompani dhe institucione tjera jo vetëm të Mitrovicës por edhe të vendeve tjera të rajonit të cilat së bashku kanë hapur rreth 500 vende pune apo punë praktike me mundësi vazhdimi.
Hapjen e Panairit e ka bërë kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili tha se ndjehet i kënaqur që është pjesë e hapjes së këtij panairi dhe është një mundësi e mirë si për bizneset ashtu edhe për punëkërkuesit që të përfitojnë nga njëri tjetri.
Ai ka shtuar se ky panair është një mundësi e mirë për të gjithë ata që dëshirojnë ta gjejnë një vend pune, prandaj edhe ka apeluar, sidomos tek të rinjtë, që ta vizitojnë këtë panair dhe të shikojnë të gjitha mundësitë që ofrojnë kompanitë pjesëmarrëse.
Po ashtu kryetari Bahtiri pati një porosi për të gjithë punëdhënësit dhe punëkërkuesit, që ta duan punën, të jenë të përkushtuar për punë sepse vetëm kështu do të arrijnë drejt suksesit.
Ndërsa drejtori i Zyrës së Punësimit në Mitrovicë, Besmir Salihu, pasi ka falënderuar organizatorët e këtij panairi, ka folur për rëndësinë e këtij panairi, ku punëdhënësit dhe punëkërkuesit kanë mundësi të marrin informacione për tregun e punës.
Panairi i Punës qysh në orët e para të mëngjesit zgjoi interesim të madh tek të rinjtë dhe qytetarët tjerë të Mitrovicës dhe do të jetë i hapur deri në orën 16:00.
/Epoka e re/