Pançev: Kosova e ka mbështetjen e Bullgarisë në rrugën euroatlantike

17 mars 2022 | 12:32

Anton Pançev ka studiuar në Universitetin e Sofjes “Shën KlimentOhridski”, ku ka mbaruar Degën e Shkencave Politike (1997-2003, Master) dhe Degën e Ballkanistikës (2000-2005, Master). Në vitin 2013 e ka mbrojtur disertacionin me temë për zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991 dhe e ka marrë titullin Doktor i Shkencave politike. Nga viti 2009 është profesor asistent në Degën e Ballkanistikës, ku ligjëron shqip dhe disa lëndë zgjedhëse për zhvillimet politike në Ballkan. Ka mbi 60 punime shkencore në shqip, bullgarisht dhe anglisht, të botuara në disa vende, në të cilat trajtohen marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamje historike, politike dhe gjuhësore. Ka marrë pjesë në mbi 40 konferenca shkencore në Bullgari dhe në vende të tjera. Ka përkthyer 10 libra nga shqip në bullgarisht dhe anasjelltas dhe shumë tekste të tjera. Merret edhe me analiza politike për gazeta dhe revista, ku në fokus janë marrëdhëniet bullgaro-shqiptare. Nga viti 2013 është anëtar i Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje, që është themeluar në vitin 1923 nga intelektualë të shquar bullgarë nga Maqedonia me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore bullgare në territorin historik të Maqedonisë. Flet anglisht, rusisht, shqip dhe kupton greqisht dhe rumanisht.

Intervistoi: Arsim Sinani

“Epoka e re”: I dashur prof. Pançev, Ju jeni njohës i mirë i proceseve rajonale. Mund të fillojmë me analizën Tuaj për proceset politike në rajon e me theks të veçantë ndikim rus pas fillimit të luftës në Ukrainë. Si i shihni ju nga këndvështrimi juaj këto zhvillime?

Pançev: Nuk mund të ketë asnjë dyshim se Ballkani është rajon i rëndësishëm për Federatën Ruse dhe ajo do t’i përdorë të gjitha instrumentet e saj që ta zgjerojë ndikimin në rajonin tonë ose së paku që t’i bllokojë/t’i pengojë nismat euroatlantike. Lufta në Ukrainë do t’i përshkallëzojë përpjekjet ruse për krijimin e problemeve të bllokut euroatlantik në një rajon me shumë probleme nga karakter i ndryshëm. Vendet e Evropës Juglindore dhe sidomos Rumania dhe Bullgaria u bënë edhe më të rëndësishme nga aspekti i sigurisë, sepse hanë shtete kyçe për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për bllokimin e agresionit rus në Detin e Zi. Këto dy shtete luajnë rolin e “mburojës” për Evropën Juglindore dhe duhet të marrin mbështetjen e nevojshme nga Bashkimi Evropian, nga NATO-ja, por edhe nga shtetet e tjera në Ballkan. Rusia ka pozicione të rëndësishme në sektorin energjetik në Ballkan (edhe në tërë Evropën) dhe do të duhen vitet dhe shumë mundime, që roli i Moskës të zvogëlohet në një mënyrë që të mos varemi prej saj. Siç shihet nga të lartpërmendurat, Rusia nuk ka shumë instrumente për ndikim në Ballkan në përgjithësi në krahasim me Perëndimin. Moska ka dy vegla më me rëndësi – furnizimi me energji dhe me arma, me të cilat mund t’i mbrojë pozitat e saj në rajon dhe të ndikojë mbi politikën e shteteve ballkanike. Ka edhe dy instrumente të tjera – ndërhyrjet diplomatike dhe ideologjike, duke i përdorur forcat ultranacionaliste dhe antiperëndimore në disa shtete të rajonit, por efektiviteti i tyre varet nga stabiliteti i përgjithshëm i vendeve të rajonit, si edhe nga politika e shteteve perëndimore, e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s dhe më konkretisht nga luhatjet eventuale në angazhimin e tyre në Ballkan. Duhet të themi se realizimi i procesit të eurointegrimit në mënyrë mekanike, pa i zgjidhur paraprakisht konfliktet me prapavija etnike dhe historike ndërmjet shteteve ballkanike, do të sjellë konflikte brenda strukturave euroataltnike dhe do të minojë stabilitetin e Ballkanit dhe të vetë Evropës në të ardhmen.
Agresioni rus krijon pasoja të drejtpërdrejta për Bullgarinë dhe krijon shumë sfida, por edhe mundësi para shtetit tonë. Me rëndësi të veçantë janë pasojat humanitare dhe demografike nga lufta, sepse mbi 300 000 bullgarë jetojnë në viset jugore të Ukrainës. Dhjetëra mijëra prej tyre së bashku me shumë ukrainas, rusë, kaukazë etj. kërkojnë shpëtim në Bullgari. Institucionet bullgare, ndihmuar nga mijëra vullnetarë krijojnë kushtet e nevojshme për strehimin e tyre të përhershëm në Bullgari – bëhen ndryshime në aktet normative, shpërndahen mjete të shumta financiare etj. Biznesi bullgar p.sh. është gati të krijojë 200 000 vende pune për ta, që të mund të rregullojnë jetë e tyre. Nga ana tjetër, po rritet edhe rëndësia ekonomike e Bullgarisë, sepse vendi ynë është prodhues kyç i mallrave strategjike si gruri (eksportuesi numër dhjetë në botë), luledielli (prodhuesi i shtatë në botë) dhe të produkteve të tjera ushqimore, si edhe i energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit (Bullgaria është eksportuesi më i madh në Ballkan). Edhe pse vend i vogël, Bullgaria e ka peshën e vet edhe në tregun botëror të disa produkteve strategjike dhe në disa segmente kryesore – bakër, produkte kimike, elektronikë, armë dhe municione. Në një kohë lufte, kur Bullgaria zë një pozicion kaq të rëndësishëm për Ballkanin dhe për bllokun euroatlantik, çdo sjellje jokorrekte ndaj Bullgarisë, ndaj bullgarëve jashtë Atdheut, duhet të trajtohet si pjesë nga lufta hibride ruse kundër nesh.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni situatën politike në Kosovë pasi rrethanat këtu i njihni mjaft mirë. Çfarë mendoni ju?

Pançev: Kosovës i nevojitet stabilitet politik në muajt në vijim duke marrë parasysh zhvillimet e turbullta gjeopolitike në nivel botëror. Para Kosovës ka sfida të mëdha ekonomike – mungesa të energjisë elektrike, niveli i lartë i importit të ushqimeve etj. Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë angazhim të shpjet nga Bashkimi Evropian për tejkalimin e këtyre mungesave. Bashkimi Evropian duhet të veprojë me vendosmëri jo vetëm me ndalimin e çdo përpjekjeje serbe për destabilizimin e Kosovës, por edhe për garantimin e stabilitetit ekonomik të vendit.

“Epoka e re”: Një sfidë tepër e madhe për Republikën e Kosovës janë negociatat me Serbinë si i shihni ju këto rrethana tani çfarë mendoni se do të ndodh?

Pançev: Negociatat duhet të përshpejtohen dhe të përfundojnë me njohjen e shtetit të Kosovës në kufijtë e saj, duke e mbrojtur plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Mendoj se është koha e nevojshme që Serbisë t’i vihet kusht të qartë nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë që ta njohë Kosovën, por së pari edhe pesë shtetet e BE-së duhet ta ndërmarrin këtë hap. Nuk mund të ketë më shumë luhatje në këtë drejtim, sepse me politikën e deritanishme këtë pesë shtete rrezikojnë stabilitetin e Kosovës dhe rrugëtimin euroatlantik të rajonit.

“Epoka e re”: Si i shihni marrëdhëniet mes Kosovës e Bullgarisë. Si mendoni se duhet të zhvillohen këto marrëdhënie mes nesh?

Pançev: Duke i analizuar marrëdhëniet bullgaro-shqiptare një vend të veçantë meriton përkrahja bullgare për ngritjen e Kosovës si shtet. Që pas fillimit të operacionit ushtarak në vitin 1999, institucionet bullgare kanë marrë vendim që ta përkrahnin përmes sigurimit të mbështetjes logjistike për NATO-n. Në etapën e ardhshme, pas luftës, Bullgaria e ka mbështetur operacionin paqeruajtës në Kosovë dhe në vazhdim të politikës së saj parimore në lidhje me çështjen e Kosovës, Bullgaria e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe vazhdon mbështetjen e saj për shtetin e ri, duke i përdorur resurset e saj politike dhe diplomatike për këtë qëllim. Mendoj se edhe Republika e Kosovës duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për kuptimin e politikës bullgare kundrejt Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti kundrejt Serbisë, sepse politika shoviniste e Beogradit përbën rrezik të përbashkët për ne dhe duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Duhet ta përforcojmë bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor që t’i përafrojmë edhe më shumë vendet tona.

“Epoka e re”: Serbia është shumë aktive në Ballkan – nisma “Ballkani i hapur”, pretendimet ndaj Bosnjës dhe ndaj Malit të Zi, lojën për ta mbajtur Kosovën jostabile. Cilat janë vlerësimet Tuaja për politikën serbe në rajonin e Ballkanit?

Pançev: Duhet të pranojmë se Serbia ka një politikë shumë aktive në rajonin tonë që shpesh nuk korrespondon me resurset serbe, por flet për potencialin institucional të këtij shteti. Pas rënies së Millosheviqit Serbia nuk u demokratizua në mënyrë të thellë dhe qarqet shoviniste po vazhdojnë të qeverisin në Beograd duke ëndërruar rimëkëmbjen e Serbisë së Madhe. Për fat të keq, nuk shoh mundësi reale që Serbia të demokratizohet me përpjekje të brendshme të shoqërisë së saj civile, sepse ideologjitë nacionaliste kanë rrënjë të thella te një pjesë e madhe e popullsisë serbe. Në muajt dhe në vitet në vijim politika serbe në rajon do të varet drejtpërdrejt nga sukseset ruse në degradimin e rendit evropian të sigurisë, por nëse Rusia do të dështojë dhe, në rastin më të mirë për të gjithë, do të fillonin reforma demokratike në këtë fuqi botërore, politika agresive serbe do të pësojë goditje fatale dhe Beogradi duhet t’i pranojë rregullat demokratike.

“Epoka e re”: Si e shihni pozicionimin e Serbisë karshi agresionit rus në Ukrainë mendoni se Perëndimi do ta tolerojë një Serbi të tillë?

Pançev: Serbia vazhdon me lojën e dyfishtë që nga ditë në ditë e demaskon edhe më shumë si mbështetësja e vetme e agresionit rus ndër vendet evropiane (pa marrë parasysh Bjellorusinë natyrisht). Tashmë kanë filluar nismat e zyrtarëve të BE-së që do të detyrojnë Serbinë të marrë pozicionim të qartë ndaj agresionit të Putinit – le në Beograd të thonë prerazi me kë do të jenë: me forcat destruktive dhe agresive ose me vendet demokratike. Udhëheqësit politikë në Beograd duhet të kuptojnë se vendimet e tyre në këtë krizë të madhe do ta përcaktojnë fatin e Serbisë madje edhe në dekadat në vijim.

“Epoka e re”: Si i shihni marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, çfarë linje do ndjek vendi juaj dhe ju si intelektual sa mendoni se është punuar në rrënimin e identitetit bullgar në Maqedoni Veriore?

Pançev: Ne nuk e mohojmë identitetin e maqedonasve me të gjitha elementet e tij. Natyrisht se këta njerëz mund të kenë komb, kishë, kulturë, identitet (edhe gjuhë maqedone pas mbulimit të kritereve të mirëfillta shkencore), mund të kenë çfarë dëshirojnë dhe e kanë këtë të drejtë pavarësisht mënyrës tragjike të formimit të komunitetit të tyre. Pra, secili njeri dhe secili komb e ka të drejtën e vet për identitet. Këtë të drejtë e kanë si të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kështu edhe të gjithë qytetarët e Bullgarisë. Por nuk mund ta injorojmë faktin se ka edhe shumë njerëz në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nuk pajtohen me mënyrën si po ngrihet një identitet i tillë, që u imponua pas Luftës së Dytë Botërore dhe që po ndërtohet ma falsifikime të skajshme, me të cilin sulmohet rëndë identiteti bullgar, sepse shumë figura, ngjarje, procese, artefakte nga këto troje janë pjesë të pandashme nga historia dhe kultura bullgare më shumë se një mijë vjet. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk mund të hyjë në BE në gjendjen e saj të tanishme – është një shtet i pa reformuar që ndërton identitet mbi bazën e urrejtjes etnike dhe racore kundrejt bullgarëve dhe shqiptarëve (Ju lutem, shfletoni vetëm një libër mësimor nga ky shtet, ku përshkruhen këta dy popuj), që shkatërron qindra monumente bullgare nga Mesjeta dhe Rilindja, ku gjuha e urrejtjes është shumë prezentë në hapësirën publike, ku përndjekjet mbi baza etnike janë ndodhi të zakonshme. Nuk mund të hyjë në BE një shtet që nuk i përmbush fare dispozitat e Traktatit me një vend anëtar të BE-së (shihni p.sh. neni 8, p. 2 nga Traktati i miqësisë me Bullgarinë, që ka të bëj me shqyrtimin e historisë të përbashkët), që ka pretendime zyrtare ndaj modelit kushtetues të Bullgarisë, që nuk e ka dënuar regjimin totalitar dhe lavdëron krimet komuniste etj. Për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është me rëndësi të ndërtohet një shtet demokratik me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallime etnike, fetare etj. Hyrja në BE, që për Maqedoninë e Veriut është tepër larg për shkaqe shumë të tjera, nuk i zgjidh automatikisht këto probleme, sepse edhe Greqia është anëtare e BE-së 40 vite, por çështja çame nuk zgjidhet, por të kundërtën – shqiptarët në këtë shtet diskriminohen në mënyrë të ashpër. Prandaj, këto probleme thelbësore në Maqedoninë e Veriut duhet të zgjidhen para anëtarësimit në BE dhe interesi i qytetarëve të saj e kërkon këtë. Mund të përfundojmë se Bullgaria ka dy kërkesa kryesore: 1. Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve maqedonas me vetëdije kombëtare bullgare sipas modelit kushtetues të Maqedonisë së Veriut; dhe 2. Përmbushja e Traktatit të miqësisë, të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit nënshkruar më 1 gusht 2017. Këto kërkesa janë në mbrojtje të vlerave evropiane dhe bazohen plotësisht mbi kriteret politike për anëtarësim në BE (Kriteret e Kopenhagenit).

“Epoka e re”: Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërmjet bullgarëve dhe shqiptarëve gjatë historisë dhe tani? Çfarë mundësi ka për bashkëpunime dhe cilat do ishin pikat afruese?

Pançev: Marrëdhëniet bullgaro-shqiptare janë komplekse dhe përmbajnë elemente të ndryshme. Kurrë nuk duhet të harrohet se projekti serbomadh në 180 vitet të fundit i ka pasur dhe ende i ka në shënjestër bullgarët dhe shqiptarët. Kjo shihet edhe nga politika jugosllave që përdorte instrumente të njëjta ose të ngjashme për asimilimin e shqiptarëve dhe të bullgarëve në Jugosllavi. Pra, nuk mund të luftosh mekanizmat e politikës serbe p.sh. në Kosovë, por pa dashje ta ndihmosh këtë projekt në Maqedoninë e Veriut duke e mbështetur politikën e autoriteteve të Shkupit. Kur Republika e Shqipërisë e njohu zyrtarisht pakicën bullgare në vitin 2017, kjo u vlerësua tepër lartë në Bullgari, sepse Shqipëria është shembull në Ballkan për mirësjellje të vazhdueshme ndaj komuniteteve pakicë në territorin e saj. Kjo tregon qartë se Shqipëria dhe populli shqiptar gjithmonë kanë ndjekur standardet më të larta humane ndaj të tjerëve edhe pse kundër shqiptarëve janë kryer gjenocide të tmerrshme gjatë shekullit XX, por edhe sot bëhen përpjekje për fshirjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo politikë e shtetit shqiptar ndikoi shumë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë dhe duke u bazuar mbi traditat tona të miqësisë është lehtë të bëhet parashikimi se marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë/Kosovës do ta vazhdojnë trendin pozitiv, por duhet të thellohen edhe më shumë në fushën e ekonomisë dhe në fushën e kulturës. Në mosmarrëveshjet me Greqinë dhe Serbinë, që kanë bazë të fortë historike, do të ishte mirë politikanët shqiptarë ta ndjekin shembullin e Bullgarisë – këto konteste të zgjidhen edhe mbi faktet dhe dokumentet autentike. Sa i përket marrëdhënieve tona historike, mund të nxirren disa konkluzione kryesore. Politika bullgare ndaj shqiptarëve është e palëkundshme pas vitit 1913 dhe është e qartë – miqësi dhe bashkëpunim me të tërë faktorin politik dhe intelektual shqiptar. Bullgaria dhe udhëheqësit e saj gjithnjë kanë pasur dëshirë dhe kanë punuar për përforcimin dhe për konsolidimin e faktorit politik shqiptar në Ballkan, sepse kjo na konvenon shumë. Qëllimi i gjeopolitikës bullgare në Ballkan gjatë shekullit të fundit është të kemi për aleat një Shqipëri të fortë dhe të unifikuar. Prandaj, Bullgaria gjithnjë ka punuar për konsolidimin e faktorit shqiptar, krejt ndryshe nga Serbia dhe Greqia, por në dekadat e fundit edhe Maqedonia e Veriut, që gjithmonë kanë kërkuar ta përçajnë dhe ta dobësojnë faktorin shqiptar që të realizojnë planet e tyre gjeopolitike duke u “dakorduar” me qarqe të papërgjegjshme në politikën shqiptare.

“Epoka e re”: A mund të paraqitni ide dhe plane konkrete për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës, kulturës dhe të politikës?

Pançev: Arkivat e Bullgarisë kanë mijëra dhe mijëra dokumente që janë shumë të rëndësishme për historinë shqiptare dhe japin dëshmi të vlefshme për proceset te shqiptarët gjatë kohës. Ka shumë dokumente që flasin për karakterin etnik shqiptar të Kosovës p.sh. Është folur shumë dhe duhet të flitet edhe më shumë për diasporën shqiptare në Bullgari gjatë kohës së Perandorisë Osmane, për katundin e Mandricës, për koloninë shqiptare në Sofjes dhe në qytete të tjera që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimet e proceseve të ndryshme në epokën e Rilindjes shqiptare. Në vitet e fundit unë personalisht merrem me hulumtime për ndikimin e shqipes mbi disa dukuri gjuhësore në të folmet dhe në dialektet bullgare. Dalin fakte tepër interesante që tregojnë se konvergjenca ndërmjet bullgarishtes dhe shqipes ka qenë edhe më e thellë sesa kemi menduar.

“Epoka e re”: Nuk të qëndroj pa ju pyetur për bashkëjetesën e shqip dhe bullgarishtes në Mandricë çfarë mendimi keni ju?

Pançev: Në të vërtetë, janë mbledhur materiale të shumta për të folmen e Mandricës, të cilat ende japin hapësirë dhe janë bazë të qëndrueshme për studime të mëtejshme, por është e nevojshme të mblidhen edhe materiale të reja, sepse në dekadat e fundit nuk është bërë ndonjë hulumtim i gjithanshëm. Hulumtimet e reja më së shumti duhet të bëhen në fushën e sociolinguistikës, që të ndiqen ndryshimet leksikale, morfologjike dhe sintaksore në këtë të folme shqiptare. Në vitet e fundit, falë punës së studiuesve bullgarë dhe të huaj, hulumtohen edhe aspekte të tjera të jetës së banorëve të katundit, si folklori, veshjet etj. Studimet në të ardhmen duhet të përqendrohen mbi sintaksën, frazeologjinë dhe interferencat midis gjuhëve. Gjithashtu, duhet të përmendim edhe faktin se në masë të madhe janë anashkaluar hulumtimet në fushën e topomimisë dhe në lëndët e tjera gjuhësore, përmes të cilave mund të jepet një kontribut të rëndësishëm për historinë e shqipes në Bullgari.
Pa dyshim, hulumtimet mbi të folmen e Mandricës dhe mbi të gjuhën e rilindësve shqiptarë dhe veprat e tyre publikuara në Bullgari, kanë një potencial të madh dhe këto mundësi duhet të shfrytëzohen sa më shpejtë e mundshme sidomos për Mandricën, ku situata demografike, si dhe në pothuajse të gjitha katundet e Bullgarisë, është kritike.
Ju faleminderit shumë!!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se më 21…