Pandemia Covid-19 e bëri të vështirë punën në zonat e mbrojtura, por gjithashtu vuri në dukje rëndësinë për ruajtjen e natyrës
Pandemia Covid-19, e cila preku pothuajse të gjitha aspektet e jetës dhe solli sfida të shumta shëndetësore, sociale dhe ekonomike, tregoi edhe një herë pasojat e qëndrimit të papërgjegjshëm të njeriut ndaj natyrës. Në Ditën e Tokës, Organizata Botërore për Mbrotje të Natyrës WWF dhe Parqet Dinarides, rrjeti i zonave të mbrojtura Dinaride, kryen një hulumtim/raport që konfirmoi se tashmë ka shumë tregues të ndikimit të drejtpërdrejtë të pandemisë në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe nevojën për financim më të qëndrueshëm të tyre.
“Pandemia na ka konfirmuar se sa të prekshëm jemi, si njerëzit ashtu edhe natyra janë të ndërlidhura si dhe ndikimi ynë negativ në botën natyrore rrit rrezikun e krizave të tilla shëndetësore. Duke vepruar me përgjegjësi ndaj natyrës dhe duke ruajtur ekosisteme të shëndetshme, ne zvogëlojmë rrezikun e pandemive të reja dhe pasojat që ato sjellin. Në të njëjtën kohë, ne pamë sa kanë rëndësi zonat e mbrojtura për ne sepse shumë njerëz vërshuan në natyrë gjatë pandemisë. Shpresojmë se tani do të bëhemi më të përgjegjshëm në mbrojtjen e tyre”, thekson Goran Sekulić nga WWF Adria, duke komentuar rezultatet e këtij raporti të botuar sot.
Efektet e pandemisë dhe qëndrueshmëria e saj shkaktuan nevojën për të rregulluar buxhetet kombëtare dhe për të drejtuar fonde për shëndetin dhe mbrojtjen e qytetarëve, dhe duke pasur parasysh mbështetjen tashmë modeste të shtetit për zonat e mbrojtura, si dhe masat shtrënguese pritej t’i vinin menaxherët e zonave të mbrojtura në një pozicion edhe më të vështirë.
Zoran Mrdak – kryetar i Parqeve Dinaride, thekson se menaxhimi i zonave të mbrojtura është shumë sfidues edhe në situata të rregullta dhe kërkon përmirësime të vazhdueshme dhe investime në kapacitetet e menaxherëve.
“Pandemia na ka zbuluar të gjitha dobësitë e sistemeve ekzistuese të menaxhimit dhe nevojën për mbështetje shtesë. Qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve në mbrojtjen e natyrës duhet të jetë parandalimi i ndikimit negativ të pandemisë në burimet natyrore, parandalimi i përdorimit intensiv dhe të paqëndrueshëm të zonave të mbrojtura për sanimin afatshkurtër të deficitit ekonomik, si dhe zhvillimi i njohurive specifike dhe aftësive me të cilat punonjësit do të jenë në gjendje t’u përgjigjen sfidave të shumta në aktivitetet e përditshme të tyre”, thekson Mrdak.
Zonat e mbrojtura në rajonin e Dinarides janë destinacione shumë tërheqëse turistike, për turistët vendas dhe të huaj dhe si të tilla kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale. Për shkak të tendencave negative ekonomike dhe turistike të shkaktuara nga pandemia, WWF dhe Parqet Dinarides paralajmërojnë se mund të ndodhë shfrytëzim i paqëndrueshëm i burimeve të tjera natyrore në zonat e mbrojtura. Gjatë vitit të kaluar, shumë zona të mbrojtura kanë pasur një numër të konsiderueshëm të rritur të vizitave turistike në familje. Kjo vetëm konfirmoi potencialin e madh turistik të këtyre zonave, por gjithashtu tregoi se një numër i madh i zonave tona të mbrojtura nuk janë të gatshme t’u përgjigjen këtyre presioneve sepse ato nuk kanë kapacitete adekuate për të menaxhuar vizitorët dhe për të zhvilluar dhe zbatuar programe promovimi dhe edukimi.
Në anën tjetër, zonat e mbrojtura, pra natyra e ruajtur, janë një zgjidhje e mundshme për pandemitë potenciale në të ardhmen. Qeveritë duhet ta njohin këtë si një përparësi dhe të tregojnë një shkallë më të lartë të proaktivitetit në vlerësimin e situatës dhe shkëmbimin e informacionit me zonat e mbrojtura dhe një fleksibilitet më të madh në zbatimin e mekanizmave për financimin dhe sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për zonat e mbrojtura, e cila do të mundësojë realizimin e mëtejshëm të të gjitha funksioneve e tyre.