Pandemia Covid-19 i ka kushtuar 350 miliardë euro ekonomisë gjermane

24 janar 2022 | 11:31

Masat kufizuese me lockdown, problemet me rrjetet e furnizimit dhe rezervimi i klientëve: të gjitha këto kanë çuar në rënien e ndjeshme të koniunkturës.

Sipas Institutit gjerman për Ekonomi (IW), pasojat e pandemisë Covid-19 në dy vitet e fundit i kanë kushtuar 350 miliardë euro ekonomisë në rendimentin e saj.

Kjo shumë në pjesën më të madhe ka të bëjë me rënien e konsumit, llogarit IW në ditën e shpërthimit të pandemisë në Gjermani. Kësaj i shtohen edhe pakësimi i investimeve të ndërmarrjeve. Në tre muajt e parë të vitit 2021 janë krijuar humbje të tjera në vlerën 50 miliardë euro,

“Ripërtëritja ekonomike do të zgjasë me vite”, parashikojnë studiuesit e ekonomisë.

Në fillim të pandemisë masat kufizuese deri në mbyllje shkaktuan probleme në proceset e prodhimit dhe vështirësuan furnizimet brenda dhe jashtë vendit, shpjegojnë ekspertët e këtij instituti. Humbje janë shkaktuar edhe nga kufizimi i mundësive për konsum dhe rezervimi i klientëve. Bizneset jashtë vendit pësuan rënie. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, Prodhimi i Brendshëm Bruto në vend ra me 11 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Gjatë ecurisë së pandemisë, rënia e numrit të infeksioneve përkohësisht i rriste shpresat për një ripërtëritje të qëndrueshme ekonomike – por me valët e reja të infeksioneve këto shpresa shuheshin. Në vitin e dytë të Covid-19, sipas studimit, problemet kryesore u krijuan me rrjetet e furnizimit: mungesa e pjesëve të këmbimit i krijuan vështirësi kryesisht industrisë së prodhimit të automjeteve.

“Shpenzimet e shtetit në pandemi dhe eksportet të paktën pjesërisht funksionuan gjatë vitit të dytë të pandemisë”, i thanë DW-së nga Instituti i Ekonomisë Gjermane.

Por, parashikohet që edhe gjatë muajve të ardhshëm të ketë humbje.

“Varianti i ri Omikron i Covid-19 megjithatë jep shkas edhe për shpresë. Nëse sivjet ne hyjmë në fazë endemike, sërish mund të ketë hov në ekonomi. Vitet e ardhshme është i nevojshëm një hop i fuqishëm ekonomik, për të rikuperuar humbjet”, shpjegon ekonomisti i IW-së, Michael Grömling. /Deutsche Welle/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka…