Pandemia dhe skandali i mbi dy milionë eurove
Pandemia Covid-19, efektet e saj në ekonominë e Kosovës si dhe skandali për vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga Thesari i shtetit, janë vetëm disa nga çështjet që karakterizuan aspektin ekonomik në vitin 2020.
Përballë një katastrofe eventuale shëndetësore, Qeveria e Kosovës ashtu edhe si vendet tjera, filloi zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Masat e rrepta të kontrollit të cilët u morën menjëherë pas konfirmimit të rasteve të para më 13 mars, lëkundën themelet e ekonomisë së Kosovës.
Pamundësia e bizneseve për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale ndikoi në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien e konsumit.
Qeveria e Kosovës për të zbutur këto dëme, doli në ndihmë me një Pako emergjente fiskale që kishte vlerën e jo më shumë se 180 milionë euro.
Pandemia Covid-19 ndryshoi gjithçka në projeksionet e Qeverisë së Kosovës, në aspektin ekonomik. Rritja ekonomike e parashikuar të ishte 4.2 për qind në vitin 2020, nuk do të ndodhë.
Projeksionit e Bankës Qendroret të Kosovës janë se ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë rënie -7.2 për qind.
Skandali i mbi dy milionë euro
Vjedhja e mbi dy milionë euro nga Thesari i shtetit ishte një skandal që tronditi ekonominë në këtë vit.
Kjo vjedhje, e cila u bë nga një punonjës i Thesarit të Kosovës dhe mjetet i dërgoi në një llogari bankare të një kompanie private, vuri në dyshim sigurinë e mjeteve të buxhetit të shtetit.
- “Jam i pafajshëm”, thotë punëtori i Thesarit
- Transferi i 2 milionë eurove “ishte sulm kibernetik”
Lidhur me këtë, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda dhe njëri nga pronarët e kompanisë LDA Group –kompani në të cilën u transferuan paratë – me inicialet K.Sh, u paraburgosën dhe ende po vazhdojnë procedurat gjyqësore ndaj tyre.
Pas transferim të paautorizuar të mbi dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës, komisioni disiplinor ka suspenduar dy zyrtarë të Thesarit në linjë vertikale të hierarkisë: zyrtarin/menaxherin e tavolinës ndihmëse dhe udhëheqësin e divizionit të menaxhimit të sistemit informativ të menaxhimit të financave.
Përveç këtij suspendimi, institucionet kompetente shtuan edhe masat e sigurisë në procedurat që bëhen gjatë transferit të mjeteve financiare nga Thesari i Kosovës.
Por, këto veprime nuk u konsideruan të mjaftueshme dhe ky u konsiderua si një skandal i harruar.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se ky rast po heshtet, dhe nuk po hetohet krimi financiar që ka ndodhur.
“Kjo heshtje dhe tentativa për të anashkaluar këtë problem, lë hapësirë që raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe do të ketë edhe në të ardhmen”, ka thënë Gërxhaliu.