Pandemia e frikës dhe agonisë

23 prill 2020 | 11:06

Nga David Brooks

Kohët e fundit u kërkova lexuesve të mi të më tregojnë për shëndetin e tyre mendor – si po ndjehen në këtë kohë të vështirë. Nuk e di se çfarë më priste; qindra histori marramendëse për familjet që vuajnë së bashku këtë krizë. Deri më tani kam pasur mbi 5,000 përgjigje dhe ajo që konfirmojnë shumë njerëz është se ekziston një lumë mjerimi që kalon kudo nëpër botë. Një pjesë e konsiderueshme e miqve dhe fqinjëve tanë janë në agoni.

Një student kolegjit në Pensilvani më shkruan se në fillim të bllokimit, i dukej si një shans për të shpëtuar nga detyrime të caktuara. Por tani “Më ka kapur nga një depresion i thellë. Oreksi im është shumë i ulët. Unë jam duke fjetur shumë, ndjehem në letargji”. “E ardhmja ime, e cila dukej aq e ndritshme disa muaj më parë ndërsa parashikoja të mbaroja studimet në maj, tani duket e zymtë dhe e pashpresë: Si do të gjej punë pas rrënimit të ekonomisë? Si do të paguaj qindra dollarë në muaj kur faturat e mia të kredisë fillojnë brenda gushtit?”, më shkruan një tjetër. Një i ri nga Virxhinia po kalon të njëjtën situatë. “Kam kaluar ditë duke qarë vetëm dhe jam ndjerë i pafuqishëm pasi kam ngecur në shtëpinë e prindërve të mi dhe e kam të vështirë të jem ashtu siç nuk dua të jem”.

Qytetarët e moshuar janë veçanërisht të goditur, e në mënyrë të veçantë të vetë dhe të vejat. Për shumë njerëz, sensi i dhimbjes për nipërit që u mungojnë, është një stress, të jetuarit me një sëmundje para karantinës tani mund t’i vrasë ata në çdo kohë. Për të tjerët, stresi është vetmia.

“Kombinimi i izolimit dhe stresit po ndikon shumë. Unë jam 65 vjeç, grua e vetme pa familjarë pranë. Motra ime jeton disa orë larg. Gjashtë muaj më parë më vdiq vëllai. Fqinjët e mi nuk janë shumë miqësorë, dhe asnjëherë nuk ka pyetur kush nëse më nevojitet ndonjë gjë. … Unë qaj shumë, kjo është jeta ime e re … ndihem plotësisht e vetme në këtë krizë dhe e pashpresë”.

Një grua nga Kalifornia shkruan: “Unë normalisht jam një person shumë pozitiv, me humor dhe energjike. Por kohët e fundit nuk mund të kaloj një ditë pa lot, shpesh herë nuk ushqehem. Jam e tmerruar për veten time, familjen time dhe të gjithë në botën. Të gjitha gjërat që unë dua të bëj, tani kam frikë t’i bëj“.

Pastaj ka nga ata që vuajnë tashmë me çështje të shëndetit mendor. Njerëzit me çrregullime ankthi shkruajnë se janë paralizuar, nuk munden që të lajnë duart mirë, nuk munden të dezinfektohen sa duhet dhe kanë frikë se kjo do të shkaktojë vdekjen e tyre.

Një person shkruan se nuk ka asnjë mënyrë për ta larguar pakënaqësinë. Një tjetër thotë se kjo pandemi ka shkaktuar “stres të padukshëm” – një ankth i përhapur kudo. Shumë njerëz po përjetojnë gulçime, shtrëngime në gjoks dhe rraskapitje.
Një grua nga Pensilvania thotë se ankthi po e shkatërron mendërisht: “Mendoj se të kesh aplikacione të shumta në telefon që funksionojnë të harxhojnë baterinë, ndaj nuk i përdor ato,” thotë ajo.

Disa njerëz tregohen aktivë për ditë të tëra, pastrojnë furishëm shtëpinë, dhe pastaj një ditë ata thjesht mbyllen dhe qajnë. Një person nga Denveri është aq i lodhur nga dyshimet për të tjerët sa pyet: “Pse kam frikë nga ata që sjellin postën apo ushqimet?”

Ekziston një dhimbje e madhe në këto letra, por aty shfaqet edhe një heroizëm i dukshëm: guximi dhe gatishmëria për ta ndarë frikën. Një ateist shkruan se lutet çdo ditë, megjithëse nuk di se kujt. Unë e shikoj këtë si një lloj tërheqje monastike. Unë shpresoj që të dalim nga kjo krizë si një komb me një perspektivë të përtërirë, me një sens të ri të ndërlidhjes sonë me njëri-tjetrin. Kjo është një kohë për të praktikuar miqësi të fortë me njëri-tjetrin – të jesh ai që kërkon të ndihmosh çdo të vetmuar dhe të trazuar. Është gjithashtu e vërtetë që karakteri ynë formohet në një kohë si kjo. Njerëzit shohin më thellë në vetvete, kuptojnë se çfarë u mëson dhimbja e tyre dhe për pasojë bëhen më të mençur dhe më të butë. / New York Times

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Britania e Madhe gjatë kësaj jave ka filluar testet njerëzore…