Pandemia, indikator për vetëdijesim ndaj bujqësisë
Shkruan: Prof. Dr. Imer R. RUSINOVCI
Fakulteti i Bujqësisë, Prishtinë
Pandemia e virusit korona, do të sjellë ndryshime të mëdha përveç tregtisë, industrisë edhe në bujqësi e transport. Pandemia e përmasave globale, është indikator i duhur për qeverinë dhe vetëdijesimin tonë ndaj sektorit të bujqësisë, që tregon nevojën urgjente për t’u kujdesur siç duhet, për prodhimin e ushqimit për konsumatorët e vendit.
Për derisa konsumatorët mund të kenë panik për furnizim me produkte ushqimore, transporti do të jetë më i vështirë me çmimi të ngritur, e në anën tjetër, fermerët vendorë veç u përballen me sfida të shumta se si t’u përgjigjen kërkesave të rritura, duke filluar nga sfidat e kësaj pranvere për qasjet e duhura në: materiale reprodukuese (inpute cilësore), pajisje mbrojtëse dhe transport për plasmanin e prodhimeve të tyre.
Bujqësia në vend mund të ishte një industri, e cila jashtëzakonisht u la pas dore, e cila në kushte të jashtëzakonshme siç është rasti me pandeminë e virusit koronar, shpërfaq të gjitha dobësitë e sistemit.
Rrafshi i Dukagjinit në përgjithësi dhe Rahoveci në veçanti kanë zona prodhuese që karakterizohen me një prodhimtari intensive. Fermerët e këtyre zonave (sidomos ata të Rahovecit), ditë më parë patën probleme me plasmanin e prodhimeve të tyre, si pasojë e pandemisë.
Shteti duhet t’i ndihmojë fermerët në këtë periudhë pandemie rreth procedurave ligjore, administrative dhe distribuese për plasmanin e prodhimeve të tyre bujqësore, duke ju krijuar lehtësira përkatësisht duke eliminuar proceduarat burokratike. Kjo, në kuptimin ekonomik do të nënkuptonte shumë nëse gjendet një modul, si për fermerët komercial ashtu edhe për fermerët e vegjël të cilët bujqësinë e kanë burimin kryesor ekzistencial. Nëse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ushqimit, u bëj thirrje që krahas zbatimit të rekomandimeve konkrete nga institucionet shëndetësore të disiplinohemi të gjithë, porse punët në sektorin e prodhimit dhe distribuimit të prodhimeve bujqësore të kryhen konform kërkesave të konsumatorëve.
Pavarësisht se importojmë sasi të mëdha të ushqimit, shumë sipërfaqe të tokës bujqësore i lamë të pakultivuara, sepse paraprakisht për vite të tëra, u karakterizuam me braktisje të fshatrave drejtë qendrave urbane.
Aktualisht, pandemia ndikoi në ndryshimin e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e bujqësisë, andaj një numër i madh i njerëzve, janë duke parë një ndryshim të qëndrimeve të tyre ndaj bujqësisë.
Pra, pandemi na bëri të rezonojmë ndryshe meqë tanimë po e shohin të gjithë se sa e vlerësojmë bujqësinë, pasi u gjendëm në një situatë si kjo e pandemisë, që na detyron të mendojmë se duhet të ushqehemi. Periudhat e vështira si: luftërat, krizat ekonomike, fatkeqësitë elementare dhe pandemitë nuk harrohen, andaj vetëdija jonë duhet të fokusohet në trajtimin e duhur të bujqësisë, konform kritereve të duhura që përcakton shteti që ta kuptojmë rëndësinë e prodhimit vendor.
Në 20 vitet e kaluar gjithçka ishte “më e rëndësishme” se sa mbështetja e duhur e prodhimit vendor, andaj fermerët u larguan masivisht nga bujqësia, sepse garniturat qeveritare deri me tani nuk e perceptuan prodhimin e ushqimit si një interes strategjik. Koha që do të vijë do të ekspozojë këtë gabim fatal me pasoja të paparashikueshme.
Nuk mund te kemi prodhimtari të qëndrueshme, pa një politikë agrare të qëndrueshme dhe një sektor të zhvilluar të prodhimit të ushqimit. Deri me tani kishim një qëndrim jo të duhur ndaj bujqësisë, i cili është i pakuptueshëm dhe do të jetë katastrofik, veçanërisht në situata të tilla krize që mund të zgjasin. Mundësitë e kompensimeve të sasirave të drithërave, perimeve, frutave, mishit dhe lëndëve të para bujqësore do të jenë të kufizuara, meqë shumë eksportues të mëdhenj do të kujdesen për popullsinë e tyre me përparësi.
Përveç pamjaftueshmërisë së prodhimeve strategjike, bujqësinë e ngulitem në mënyrë sistematike për vite të tëra edhe në prodhimet tjera, që u manifestua me mungesë të investimeve kapitale, mohim të mbështetjes për prodhimet që do të zgjedhshin shumë probleme sociale (vaj, sheqer, duhan etj.).