Pandemia koronavirus, a mund t’i besojmë shërimit të Kinës?
Ndërsa Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe thuajse e gjithë bota është në karantinë, Kina po rihapet, duke treguar kujdes.
Deri tani autoritetet kanë lehtësuar kufizimet e udhëtimeve ndërsa javën e ardhshme do të lejojnë njerëzit që të dalin nga Wuhani, “vendlindja” e pandemisë, për herë të parë pas më shumë se 2 muajsh.
Vazhdimisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lavdëruar Kinën për mënyrën se si është përballur me situatën. “Ata po i zbulojnë me shpejtësi rastet, po i kufizojnë me shpejtësi”, deklaronte Dr. Bruce Aylward, nga OBSH.
Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, duartrokiti përpjekjet e kinezëve, vetëm pak javë më parë. “Këtë gjë e di: Presidenti Xi i do njerëzit në Kinë, dashuron vendin e tij dhe po bën një punë shumë të mirë në një situata tepër, tepër të vështirë”.
Por me rritjen e shifrave të të prekurve dhe viktimave në SHBA, rritej edhe mosbesimi për shifrat që vinin nga Kina dhe transparencën e treguar prej tyre me shifrat. “E vërteta është se mund të kishim qenë më mirë nëse Kina do të kishte qenë më e hapur”, tha zv.presidenti Mike Pence.
“Caixin”, një revistë e rëndësishme kineze për ekonominë, raportoi se në Wuhan kishte mijëra varre të padeklaruara nga autoritetet. Por dy ditë pas mbylljes totale të qytetit me 11 milionë banorë, zyrtarët lokalë ndërprenë të gjitha shërbimet funerale, kështu që varret mund të jenë përdorur për personat e tjerë që mund të vdisnin në ato ditë, por që nuk kishin lidhje me koronavirusin.
Megjithatë, në raportimet e CNN, që ka pasur gazetarë brenda në Wuhan që nga janari, shifrat nuk përputheshin kur krahasoheshin me të dhënat që vinin nga “vija e parë”. Kjo, pjesërisht edhe për një arsye që, për shumë vende të tjera, është një sfidë edhe sot, mungesa e kiteve të testimeve.
“Është vërtet e vështirë, diçka tepër prekëse për mua”, tha për CNN Dora Jiang, mbesa e një pacienti me koronavirus. Ajo shtoi se u deshën 4 ditë që të testohej, ndërsa përgjigja gjithashtu u vonua. “Nuk mendoj se kjo ndodh për faktin që ata duan të kontrollojnë shifrat, por për shkak të kapaciteteve që kanë”.
Kyle Hui tha për CNN që mamaja e tij vdiq në mes të janarit në Wuhan. “Asaj nuk iu bë kurrë testimi i acidit nukleik. Shkaku i vdekjes zyrtarisht u regjistrua pneumoni akute. Por gjatë kurimit, mjeku tha që kishte shumë gjasa se ajo ishte e prekur nga koronavirusi”.
Por pavarësisht kësaj, ajo nuk ishte një rast i konfirmuar dhe si rrjedhojë nuk është llogaritur në shifrat zyrtare.
Kina thotë se për herë të parë e zbuloi koronavirusin më 12 dhjetor, në një treg peshku dhe frutash deti në Wuhan, por tregu u mbyll vetëm më 1 janar. Dhe gjatë asaj periudhë 3-javore, banorët e qytetit vijuan jetën normalisht, me autoritetet lokale që censuruan të ashtuquajturit “zëra” mbi një sëmundje misterioze. Atyre që “i ranë kambanave” iu mbyll goja. i tillë ishte edhe fati i doktorit Li Wenliang, i cili u përpoq të vinte alarmin. Fillimisht u fut në arrest në shtëpi, më vonë vdiq prej koronavirusit dhe tani, qeveria kineze, e quan hero.
Komisioni Shëndetësor i Kinës, nisi të raportojë shifra zyrtare mbi të prekurit që nga 21 janari, thuajse 6 javë pas rastit të parë të konfirmuar. Brenda pak ditësh, ata raportuan për 1052 rasteve në provincën Hubei. Por thuajse menjëherë, ekspertët e shëndetësisë në Universitetin e Hong Kongut ngritën dyshime mbi këto shifra, pasi besonin se ishin 40-fish më shumë, vetëm në Wuhan.
Një arsye e mundshme e këtyre raportimeve mund të jetë fakti që Kina nuk lejoi ekspertë ndërkombëtarë në ditët e para të epidemisë. Për javë me radhë, autoritetet amerikane thanë se ishin të gatshme të shkonin atje, me shpresën për të zgjidhur këtë problem para se të dilte nga kontrolli.
Por skuadra e parë Organizatës Botërore të Shëndetësisë zbriti në Kinë vetëm më 10 shkurt, thuajse 2 muaj pas rastit të parë të konfirmuar. Dhe, pasi kanë kaluar edhe dy muaj të tjerë, ekspertët përsëri kanë dyshime mbi të dhënat zyrtare të Kinës.
Ho-Fung Hung, profesor i ekonomisë politike në Universitetin “John Hopkins”, u shpreh: “Të dhënat e qeverisë kineze nuk janë fare transparente. Autoritetet lokale kanë marrë udhëzim që të ulin numrin e rasteve të konfirmuara, dhe të amplifikojnë zërat se po bëhet një punë e mirë. Nuk kemi fakte dhe informacionin e nevojshëm për të besuar më shumë te shifrat e qeverisë kineze”.
Këto pretendime, Pekini zyrtar gjithmonë i ka hedhur poshtë. Hua Chunying, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze tha: “Fakti është që Kina është treguar gjithmonë e hapur dhe e përgjegjshme me informacionin që i kalon Organizatës Botërore të Shëndetësisë”.
“Zyrtarët kinezë të shëndetësisë kanë vënë vazhdimisht theksin mbi ritmin e shërbimeve, duke raportuar se nga mbi 82 mijë të infektuar, mbi 76 mijë i kanë mbijetuar sëmundjes. Pas presionit të madh, ata nisën të publikonin shifra të rasteve pa simptoma. Me heqjen e ngadaltë të kufizimeve, shqetësimi i ri këtu është numri i personave që vijnë nga vende të tjera dhe që nuk shfaqin simptoma, të cilët mund të shkaktojnë një valë të dytë infeksioni, pikërisht këtu, ku nisi gjithçka”, tha David Culver, korrespondent ndërkombëtar i CNN, në Wuhan.