Pandemia krijoi pasoja në gjithë tregun botëror të turizmit
Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, ka thënë se viti që po lëmë pas, për shkak të pandemisë botërore, ka krijuar pasoja në gjithë tregun e turizmit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se turizmi në Shqipëri dhe Kosovë duhet të jetë komplementar për ofrimin e produkteve turistike.
Në këtë intervistë Klosi ka folur edhe për zgjedhjet që do të mbahen në Shqipëri më 25 prill 2021. Ai ka thënë se Partia Socialiste në këto zgjedhje do të fitojë sërish. “Fitorja e një mandati të tretë është historike jo aq për historinë politike shqiptare, por së pari për rëndësinë e vijimit të transformimit të Shqipërisë, ndaj nuk ka asnjë dyshim që do të fitojmë”, ka deklaruar Klosi
“Epoka e re”: Z. Klosi, në vitin që po lëmë pas turizmi llogaritet ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Ç’pasoja h i solli pandemia bregdetit shqiptar?
Klosi: Viti që po mbyllim, për shkak të pandemisë globale, ka krijuar pasoja në gjithë tregun botëror të turizmit. Edhe Shqipëria nuk ka bërë përjashtim, por u bë gjithçka që sektori të mbahej në punë. Dhe sot të gjithë bashkë ndihemi mirë për konstatimin e bazuar në shifra se “turizmi ndihmoi ekonominë të mbijetonte”. Që në krye të kësaj pandemie matëm faktorët dhe vlerësuam situatën duke u mbështetur tek ato specifika që ka kjo industri në Shqipëri nisur nga: Fleksibiliteti i strukturave turistike shqiptare që na dha dorë për adoptimin e shpejtë me kushtet e reja, turizmi hyrës përmes rrugëve tokësore në masën 82.5 për qind, duke reaguar përmes hapjes së shpejtë të kufijve tokësorë me fillimin e verës, analizuam potencialin e turizmit të brendshëm dhe orientuam këtë fluks turistik drejt destinacioneve tona. Dhe, e fundit, jo për nga rëndësia, por sepse doja të ndalesha pak më gjatë në këtë pikë: turizmi nga rajoni. Edhe këtë herë vëllezërit tanë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e kudo në trevat shqiptare zgjodhën Shqipërinë si destinacionin e tyre të parë. Këtë e kam thënë edhe publikisht shumë herë. Nuk kam veçse mirënjohje dhe përulje ndaj gjithë vëllezërve tanë shqiptarë në rajon, që për ne nuk janë pushues, por janë pjesë integrale dhe e pandashme jona, janë në shtëpinë e tyre. Kudo ku pushojnë nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Saranda e Ksamili, e çdo destinacion i brendshëm shqiptar, shqiptarët janë këtu në vendin e tyre. Por, Shqipëria ishte edhe destinacion rajoni. Dhe nuk duhet ta harrojmë, që jemi patriotë të mirë kur punojmë për ekonominë tonë. Ndaj gjithsesi duhet të punojmë edhe për ruajtjen dhe rritjen e këtij trendi. Nga ana tjetër, edhe këtë vit ne mund të ruajmë dhe të përfitojmë flukse turistike falë fluturimeve “charter” me qëllim frekuentimin e turizmit të diellit dhe detit nga tregje të tilla si Polonia, Ukraina dhe Bjellorusia. Bashkë me vështirësitë për ta adoptuar turizmin brenda protokolleve të reja anti-Covid, kushtet e reja zhvilluan më tej llojet turistike, turizmin e natyrës, turizmin historik, kurse agroturizmi pati një rritje të rëndësishme etj.
“Epoka e re”: Ndërkohë kishim fluks të madh të qytetarëve të Kosovës që në këtë kohë pushuan në bregdetin shqiptar. Sa ishte numri i pushuesve nga Kosova në sezonin që lamë?
Klosi: Gjithmonë kam shmangur shifrat në daljet apo deklaratat publike, jo se nuk janë të rëndësishme, por sepse mendoj që më shumë sesa numrat, rëndësi ka fryma, bashkëpunimi, standardet, shërbimi turistik, produktet e ofertat e përbashkëta turistike, pra gjithçka që nuk lidhet me shifrat, por me kontributin për ta rritur këtë sektor në të dyja anët e bjeshkëve. Më vjen mirë të konstatoj sërish, se vëllezërit tanë nga Kosova janë në krye të turizmit hyrës në Shqipëri, kryesim që e mbajnë prej vitesh duke na rritur përgjegjësinë dhe ndjesinë se bashkëpunimi mes nesh duhet të konsolidohet drejt turizmit dymbëdhjetëmujor.
“Epoka e re”: Në çfarë niveli është bashkëpunimi i turizmit Kosovë – Shqipëri?
Klosi: Detyra ime e parë si ministër i Turizmit ka qenë vizita zyrtare në Kosovë me qëllimin dhe fokusin e qartë: krijimin e ofertave të përbashkëta turistike. Si homologu im në Kosovë, edhe unë konstatoj sot me kënaqësinë më të madhe se është rritur dhe forcuar bashkëpunimi mes agjencive shqiptare në të dyja anët e bjeshkëve. Në çdo shkëmbim zyrtar vizitash kemi ndihmuar lehtësimin e këtij komunikimi dhe bashkëpunimi mes sektorit privat, me një qëllim: Turizmi në të dyja anët e bjeshkëve duhet të jetë komplementar për ofrimin e produkteve turistike. Kemi bashkërenduar tashmë agjendat, prej më shumë se dy vjetësh: Hapim sezonin turistik veror në Shqipëri në fillim të qershorit në Shëngjin me homologët nga Prishtina, me tur operatorët dhe agjencitë turistike të dy vendeve tona dhe, gjithashtu, bashkë hapim sezonin turistik dimëror në Dragash të Kosovës në fillim – vjeshte. Është jo vetëm një ushtrim praktik, por një mesazh i rëndësishëm me moton “Pusho shqip” në të dyja anët e bjeshkëve. Duhet të kemi parasysh se jemi tregje turistike të vogla, por duhet ta shfrytëzojmë diversitetin e natyrës dhe burimeve natyrore për t’i shndërruar në avantazh ekonomik. Ndaj në këtë drejtim ka shumë për të bërë e se në turizëm shumë nuk është kurrë mjaftueshëm pasi është një sektor dinamik. Ajo që nuk duhet të ndalim është fryma e bashkëpunimit dhe konsolidimi i marrëdhënieve në të gjitha nivelet: sektor publik e privat.
“Epoka e re”: Ka kritika që qytetarët nga Shqipëria nuk e vizitojnë Kosovën në nivelin e kënaqshëm. Pse ka mungesë të kampanjave?
Klosi: Kosova është tashmë destinacion për shqiptarët e këtej kufirit, për turizmin e fundjavës, turizmin malor, turizmin e natyrës, turizmin dimëror kryesisht, por pa harruar që edhe gjatë verës Kosova për ne është shndërruar në destinacion. A ka mundësi për përmirësim? Gjithmonë. Ndaj çdo zë publik duhet të orientohet në këtë drejtim: t’i hulumtojmë mënyrat si të rrisim këtë shkëmbim turistik?
“Epoka e re”: A keni paraparë hartimin e ndonjë strategjie në rritje të bashkëpunimit në mes të dyja shteteve dhe a do të duhej të modifikohej një pako e përbashkët financiare në ndihmë të këtij sektori?
Klosi: Me kolegët e Prishtinës e kemi diskutuar shpesh si të bëjmë më të mirën në këtë drejtim. Kemi ngritur tashmë një platformë të zhdërvjellët komunikimi, me të gjithë, ministritë e linjës, pushtet vendor, sektor privat, se si duhet të operojmë në forma afatgjata për ta çuar përpara zhvillimin e kësaj industrie. Dhe mendoj se kjo është rruga. Asnjë injektim financiar nuk zëvendëson punën konkrete dhe të drejtpërdrejtë për të orientuar tregun dhe për të nxitur sektorin privat drejt kësaj rruge. Në fund është sektori privat që duhet të punojë dhe ta nxisë drejt konsolidimit të bashkëpunimit.
“Epoka e re”: Z. Klosi, ju jeni ministër në qeverinë Rama. Opozita në vazhdimësi ka pasur kritika për këtë qeveri. Mendoni se kanë qenë reale kritikat e opozitës?
Klosi: Ajo që kemi thënë që krye të herës është bashkëqeverisja me qytetarët. Në këtë kuptim, ajo që mbetet për ne e rëndësishme është përmbushja e pritshmërive të qytetarëve tanë, rritja e standardit të jetesës, mirëqenies së tyre, ku padyshim opozita në çdo proces ka qenë e mirëpritur të kontribuojë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka qenë konstatim keqardhës që s’është bërë pjesë e proceseve të rëndësishme zhvilluese. Por, ajo që mbetet detyra jonë parësore, janë investimet më shumë procese që ndihmojnë dhe zhvillojnë standarde të jetës së komuniteteve tona. Janë investimet që kanë ndikuar në këtë rritje cilësie të jetës, por sigurisht që mbetet shumë për t’u bërë. Të vetëdijshëm për çfarë është bërë dhe për çfarë është e aftë të bëjë Partia Socialiste në qeverisje, kam bindjen e plotë se do të vlerësohet me votën e 25 prillit të 2021-shit, ku PS-ja do të mandatohet nga qytetarët për një mandat të tretë.
“Epoka e re”: Do të thotë jeni të përgatitur për të fituar edhe këto zgjedhje?
Klosi: Si partia më e madhe, më demokratike, më e organizuar dhe më pranë qytetarëve, Partia Socialiste është e përgatitur për betejën elektorale të radhës. Drejtuesit e qarqeve janë respektivisht në zonat e tyre, duke punuar në skuadër dhe në komunikim të pandërprerë me qytetarët, për të dëgjuar dhe për t’iu qasur zgjidhjes së nevojave të tyre, pa parë dhe pa ndarë votuesit në të majtë dhe në të djathtë. Është gjithë filozofia jonë fituese, të mos i ndajmë qytetarët në të majtë dhe në të djathtë, në gjithë proceset reformuese të vendit. Fitorja e një mandati të tretë, është fitore historike jo aq për historinë politike shqiptare, por së pari për rëndësinë e vijimit të transformimit të Shqipërisë, ndaj nuk ka asnjë dyshim që do të fitojmë.
Albulena S. MAVRAJ