
Pandev: Maqedonia për mua është gjithçka, por Italia më ka dhënë gjithçka
Italia do të sfidojë Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e “play-off”, në tentativën e fundit për të siguruar një biletë për në Kupën e Botës. Goran Pandev ka luajtur për shumë sezone në Seria A, ndërkohë që tani është pjesë e Parmës. Për të do të jetë një ndeshje speciale.
“Maqedonia për mua është gjithçka, por Italia më ka dhënë gjithçka. Është vendi ku kanë lindur fëmijët e mi. Të luash në transfertë kundër kampionëve të Evropës nuk është aspak e lehtë për ne. Italia, ashtu si Portugalia dhe Turqia është favorite për t’u kualifikuar. Por nuk duhet të harrojmë që edhe presionin e kanë ata”, ka thënë Pandev.
“Ka shumë të rinj të talentuar dhe të zotët. Të fitosh Evropianin në Angli nuk është aspak e lehtë. Por në krahasim me 20 vite më parë kur unë kam ardhur në kampionatin italian ka rënë pak niveli teknik. Për këtë arsye, edhe të vjetrit si unë, Ibra, Chiellini apo Quaglieralla vazhdojmë të luajmë”, ka shtuar Pandev.