Pantina: Do të insistojmë që Projektligji për Qeverinë të vjen në Kuvend në muajin mars
Një nga pesë kushtet që do e siguronte votën e Partisë Socialdemokrate )PSD) për miratimin e buxhetit për vitin 2019 ishte edhe Projektligji për Qeverinë, përmes së cilit kërkuan që të ulet numri i zëvendësministrave.
Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se nëse Projektligji për Qeverinë nuk e trajton zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave, atëherë grupi parlamentar që ajo përfaqëson do të propozojë amendament përmes së cilit do të kërkojnë që asnjë ministri të mos i ketë më shumë se dy zëvendësministra.
“Unë besoj që edhe deputetët tjerë do të votojnë amendamentin që ne do e bëjmë sepse nëse nuk parashihet kështu në leximin e parë do e shtrojmë si amendament dhe do e kërkojmë votën e gjithë deputetëve”, ka thënë ajo.
Pantina ka thënë që do të insistojnë që Projektligji për Qeverinë të vijë në mars.
“Sa i përket njërës nga kërkesat që ende nuk është realizuar në plotëni e që është Projektligji për Qeverinë ai sipas zotimit të kryeministrit duhet të vijë në Kuvend brenda 3 muajve, e që presim që gjatë muajit mars të vijë për shqyrtim në Kuvend. Ende nuk e kemi pa përmbajtjen e draftit të këtij projektligji, por ne do t’i parashtrojmë vërejtjet dhe komentet tona, por kërkesa kryesore ka qenë të zvogëlohet, gjegjësisht të sanksionohet numri i zëvendësministrave, i cili më së shumti mund të ketë dy zëvendësministra. Jo të gjitha ministritë duhet të kenë dy zëvendësministra, por asnjë ministri të mos i ketë më shumë se dy zëvendësministra”, ka thënë Pantina për “Ekonomia Online”.
Pantina ka thënë që do të diskutohet edhe numri i ministrive si dhe numri i këshilltarëve në këto të fundit.