Pantina: Paratë për festa më mirë të shkonin për çerdhe dhe mbrojtje të mjedisit
Deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara për festa, ka thënë se partia ku ajo bën pjesë do të bënte një shpërndarje ndryshe të mjeteve financiare.
“Si subjekt socialdemokrat, ne do të shpërndanim ndryshe këto para, në vend që ato të shkojnë për festa dhe shënim të përvjetorëve, që ndonjëherë duhet të shënohen, më mirë do të ishte të shkonin për çerdhe dhe projekte për mbrojtjen e mjedisit”.
“Shënimi i festave përveç që ka dështuar të promovojë shtetësinë tonë ka vënë në pah dështimet e Protokollit të Shtetit”, ka thënë Pantina.
Pantina duke iu referuar deklaratave të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se pretendimet e tilla duhet të hetohen.
Deputeti i LDK-së ka thënë gjithashtu se ka pasur keqpërdorime me blerjen e lapsave për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë.
Selmanaj ka thënë që Qeveria vetëm për periudhën e fundit të vitit 2018 ka krijuar shpenzime të paplanifikuara rreth 8 milionë euro derisa në dy muajt e parë të 2019-ës ka shpenzuar afër 50 për qind të rezervave për këtë vit.
“Kuvendi do të duhej që t’i posedonte këto fakte që do të mund të siguroheshin ose duke i ofruar vet Qeveria ose mekanizmave të tjera që ka Kuvendi, përmes procedurave hetimore që parasheh Rregullorja e Kuvendit”.
“Duhet që përveç Kuvendit, me pretendime të tilla të merret edhe Prokuroria që të fillojë menjëherë hetimet dhe përgjegjësit të japin llogari”, ka thënë Selmanaj. /KK/