Pantina: Përgjegjësinë kryesore për dialog duhet ta bartë Kuvendi
Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, duke komentuar emërimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë nga ana e Qeverisë, ka thënë se ky vendim ka anët pozitive dhe negative.
“Për mua ka anën pozitive por edhe të metat e veta, si vendim. E mirë është që Qeveria po merr përgjegjësi në këtë proces sepse kohëve të fundit ka pasë një tërheqje të Qeverisë dhe i është lënë në duar, të paktën në diskutimet publike që janë bërë, presidentit (Hashim Thaçi) që ka qenë jashtëzakonisht i papërgjegjshëm me deklaratat e tij që janë të paqëndrueshme dhe ndryshojnë brenda ditës”, ka deklaruar ajo.
Pantina në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” ka thënë se ashtu si PSD-ja ka propozuar, platforma për dialogun me Serbinë duhet të theksojë se përgjegjësinë kryesore në këtë proces ta ketë Kuvendi.
“Përgjegjësinë kryesore duhet ta bartë Kuvendi, si institucioni më i lartë. Ne, si PSD, patëm propozuar një platformë të tillë ku duhet të hartohet fillimisht platforma dhe ku duhet të përcaktohet se çka do të diskutohet dhe pastaj të zgjidhet ekipi negociator dhe kryesuesi i këtij ekipi. E gjitha kjo duhet të bëhet nga Kuvendi, me 2/3-at (80 vota) që nënkupton edhe përfshirjen e opozitës. E mira do të ishte që të arrihet konsensus i përgjithshëm, jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe në shoqëri ku edhe shoqëria civile do ta jepte qëndrimin e saj”, ka theksuar Pantina.
Sipas Pantinës, votat e 2/3-ave të Kuvendit (80 vota) janë shumicë solide, për të marrë çfarëdo vendimi për të ardhmen e vendit.
Ajo ka thënë se partia të cilës i takon ajo nuk dëshiron që patjetër të jetë e përfaqësuar në fazën finale të dialogut me Serbinë, në Bruksel.
“Ne asnjëherë nuk e kemi pasë hallin që ne të përfaqësohemi si subjekt politik ose të marrim bajrakun e kësaj pune. Ne (PSD) jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë që na takon por asnjëherë nuk kemi tentuar të luftojmë për merita dhe pozicion. Ne kemi bërë thirrje dhe kërkesë në Kryesi që Kuvendi të kthehet në punë por dy partitë tjera parlamentare nuk na dhanë nënshkrimet e tyre por kur LDK bëri kërkesën, ne nuk hezituam, sepse për ne nuk kishte rëndësi kush po e bën. Çështja e inateve po na kushton shumë si shoqëri – edhe inateve personale por edhe ngarendjes për të marrë merita”, ka shtuar ajo.