Panucci premton një super kombëtare për të synuar “Euro 2020”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, në një intervistë për “Top-Channel”, i bëri një përmbledhje të shkurtër punës së tij të deritanishme me kuqezinjtë.
“Mund të them se një nga pengjet e vitit që sapo u mbyll është një pikë që duhet të merrnim me Italinë dhe të them të vërtetën na mungon ajo në llogarinë përfundimtare. Për pjesën tjetër, dua të vazhdoj të theksoj se kemi bërë gjithmonë ndeshje shumë të mira. Më ka mbetur mendja tek ndeshja me Italinë, por nuk na mbetet gjë tjetër tani, duhet të shohim përpara në të ardhmen. Viti i ri që po vjen do të fillojë menjëherë me përgatitjet për skuadrën. Nga muaji janar do t’u rikthehem udhëtimeve për të gjetur futbollistë të rinj që t’i kthehemi punës seriozisht”, ka thënë Panucci, i cili premtoi se do të ndërtojë një skuadër më të fortë për t’i synuar finalet e Evropianit të Vitit 2020.
“Në këta gjashtë muaj që kam punuar me Shqipërinë kam arritur të ambientohem shumë mirë. Jam i bindur se do të kemi mundësi të bëjmë një skuadër shumë të mirë dhe në këtë mënyrë do të provojmë të shkojmë në finalet e Evropianit të ardhshëm. Këta janë gjashtë muajt e parë që unë kam qenë këtu dhe mund të them se janë shumë të kënaqshëm sepse ndihem shumë mirë në detyrën e re në krye të kombëtares shqiptare. Dua ta mbyll këtë vit me një urim për të gjithë tifozët shqiptarë. Gëzuar festat e fundvitit dhe ju premtoj se do të punoj më shumë në vitin e ardhshëm 2018, që ta kemi mundësinë t’u dhurojmë emocione të mira me rezultatet tona”, ka përfunduar Panucci.