Panxha letër publike zëvendësministres Gashi, e akuzon për vjedhje të konceptit ‘Made in Kosova’
Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, përmes një letre të hapur të publikuar në “Facebook” e ka denoncuar zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashin, për vjedhje të idesë së “Made in Kosova”.
“E nderuar znj. Liza Gashi përmes kësaj letre po të drejtohem personalisht që të sqaroj dhe prezantoj para opinionit publik tendencën tënde për të përvetësuar konceptin Made in Kosova si dhe për të konfiskuar markën tregtare ‘Made in Kosova’. Miqësisht po të them se qasjen dhe mënyrën që e ke zgjedhur është totalisht e gabuar”, ka shkruar Panxha.
Ai thotë se kjo ide ishte e tij dhe e disa personave të tjerë që nga 2015-ta. Ai ka paralajmëruar se këtë çështje mund ta bëjë edhe lëndë gjyqësore.
“Unë fuqishëm besoj në vullnetin e mirë dhe dëshirën për t’i përmirësuar gabimet. Te gjithë gabojmë Liza! Unë besoj që ti do të reflektosh pozitivisht mbi këtë çështje para se fillojmë me proceset gjyqësore. Prandaj në mungese të ideve origjinale Liza, po ta shtri prapë dorën e bashkëpunimit siç ta kam bërë në muajin prill të vitit 2023 për ‘Made in Kosova. Prandaj unë Astrit Panxha si autor dhe ideator i konceptit dhe fushatës ‘Made in Kosova’ do t’i drejtohem presidentes së vendit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe te gjitha instancave relevante që të njoftohen për këtë tentim të përvetësimit dhe konfiskimit të pronës. Po ashtu nuk do të lë gur pa e lëvizur deri sa të triumfoje drejtësia morale dhe ligjore mbi këtë çështje”, ka shkruar ai.