Paolucci: Rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2023 do të jetë 3.2 për qind

20 tetor 2023 | 16:28

Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ka thënë se një sërë kushtesh të jashtme sfiduese po ushtrojnë presion mbi të gjitha ekonomitë e Evropës, e që nuk përjashtohet as Kosova.

Ai ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2023 është 3.2 për qind.

“Projeksioni i fundit i Bankës Botërore është që aktiviteti ekonomik do të zgjerohet për 3.2 për qind në vitin 2023, i mbështetur nga performanca pozitive e eksporteve dhe aktiviteti i konsumit, përpara se të përshpejtohet në 3.9 për qind në vitin 2024”.

Ai ka shtuar se inflacioni ka qenë në rënie të vazhdueshme “nga kulmi i tij prej 14.2 për qind në korrik 2022, por presionet mbi çmimet mbeten të rritura”.

Paolucci ka theksuar se inflacioni i lartë përbën sfidë të veçantë për të varfrit, pasi që ushqimi dhe energjia përbëjnë një pjesë më të madhe të shpenzimeve të tyre.

“Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike pritet të zmadhohet në periudhën 2024-2025, i mbështetur nga rritja e investimeve në infrastrukturë publike, duke përfshirë mbështetjen e financimit të jashtëm, dhe investimet më të larta publike dhe private në furnizimin dhe efiçiencën e energjisë”, ka deklaruar ai.

Paolucci ka shtuar se Kosova duhet të jetë e qëndrueshme ndaj goditjeve të jashtme për të qenë në një nivel me shtetet e tjera.

“Në vijim, Kosova duhet të rrisë reziliencën e saj ndaj goditjeve të jashtme duke avancuar reformat strukturore për çlirim të rritjes potenciale më të lartë dhe për të përshpejtuar konvergjencën me vendet homologe të krahasueshme në BE. Është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur mjaftueshmërinë fiskale, krahas nevojës për të reduktuar hendekët e tjerë infrastrukturorë në ujëra, mbeturina dhe lidhshmëri”.

Paolucii ka deklaruar se përmirësimet në rezultatet e tregut të punës duhet të fokusohen në mbështetjen e përfshirjes më të madhe të grave në tregun e punës, duke reduktuar barrierat ndaj pjesëmarrjes dhe duke rritur qasjen në shërbimet e kujdesit për fëmijët.

“Për më tepër, rritja e shkallës së investimeve në kapital njerëzor – si parakusht për çlirim të rritjes më të lartë potenciale – duke ruajtur mjaftueshmërinë fiskale, kërkon reforma efektive dhe gjithëpërfshirëse, si p.sh. optimizimi i rrjetit të shkollave; ngritja e një kornize për financim të shëndetësisë që promovon mbulimin shëndetësor universal; dhe përmirësimi i targetimit të ndihmës sociale dhe parashikueshmërisë dhe përshtatshmërisë së pensioneve”, ka theksuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PRISHTINË – Javën e kaluar, znj. Eillen Devitt bëri betimin…