Papa bën thirrje për ‘armëpushim të Pashkëve’ në Ukrainë
Papa Françesku ka bërë thirrje të dielën për një armëpushim të Pashkëve në Ukrainë për t’i hapur rrugën paqes përmes “negocimit të vërtetë”.
“Le të fillojë armëpushimi i Pashkëve. Por jo për të siguruar më shumë armë dhe për të rimarrë betejën — jo! — një armëpushim që do të çojë në paqe, nëpërmjet negociatave të vërteta”, ka thënë ai në një meshë publike në sheshin e Shën Pjetrit.
Papa ka denoncuar një luftë ku “civilët e pambrojtur” kanë pësuar “masakra të tmerrshme dhe mizori”.
“Çfarë fitoreje ka në vendosjen e një flamuri mbi një grumbull gërmadhash?”, ka thënë ai.
Françesku të mërkurën kishte dënuar tashmë shënjestrimin e civilëve në Ukrainë, duke e quajtur zbulimin e trupave në Buça pranë Kievit një “masakër” dhe duke përqafuar një flamur ukrainas nga “qyteti i martirëve”.
Ai gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e tij për të kontribuar në ndalimin e luftimeve në Ukrainë dhe tha se do të ishte gati të udhëtonte në Kiev.
Gjatë javës së kaluar, imazhet nga Buça, qytezë në verilindje të Kievit shkaktuan reagim botëror.
Zyrtarët lokalë kanë thënë që më shumë se 300 njerëz janë vrarë nga forcat ruse vetëm në Buça dhe rreth 50 prej tyre janë ekzekutuar.
Në anën tjetër, të dielën më 10 prill, një zyrtar ukrainas tha se një varr masiv që përmban dhjetëra trupa civilësh është gjetur në fshatin Buzova pranë Kievit, pasi forcat ruse u tërhoqën nga zonat në veri të kryeqytetit.