Papa do të kremtojë meshën në një stadium me 10 mijë të pranishëm
Dita e tretë e vizitës historike të Papa Françeskut në Irak do t’i kushtohet vizitimit të disa rajoneve veriore të vendit, të cilët për disa kohë u kontrolluan nga militantët e ISIS. Këto rajone u pushtuan në vitin 2014, me qëllim largimin e të krishterëve dhe pakicave të tjera në këto zona.
Këtë të diele Papa do të kremtojë meshën në një stadium futbolli në Itbil, ku të pranishëm pritet të jenë rreth 10 mijë vetë. Sipas medieve të huaja, ky ritual mund të bëhet shkak për përhapjen e kronavirusit, duke qenë se në Irak ka pasur një rritje të infeksioneve në ditët e fundit.
Udhëheqësi 84-vjeçar i Kishës Katolike dhe shoqëruesit e tij janë vaksinuar të gjithë, por Iraku mori vetëm grupin e parë të dozave javën e kaluar. Udhëtimi katër-ditor, i cili filloi të premten, është i pari i Papës që nga fillimi i pandemisë më shumë se një vit më parë dhe vizita e parë e tij historike në Irak. Për këtë vizitë, janë përkujdesur mbi 10 mijë persona, mes tyre dhe personeli i Forcave të Sigurisë Irakiane.
Disa grupe militante myslimane thuhet se e kanë kundërshtuar vizitën, duke thënë se udhëtimi përbën ndërhyrje të Perëndimit në punët e vendit. Pas meshës në Irbil, Papa do të udhëtojë në Mosul, një ish-bastion i ISIS-it për tre vjet, ku ai do të bëjë lutje në Sheshin e Kishës për viktimat e luftës me grupin militant mysliman suni, i cili la të vdekur dhjetëra mijëra civilë.
Ai më pas do të vizitojë kishën më të madhe të Irakut, e cila u shkatërrua pjesërisht nga ISIS-i, në Qaraqosh, ku të krishterët janë kthyer që nga disfata e grupit islamik.
Që kur mbërriti në Bagdad të Premten, Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe ekstremizmit dhe tha se bashkësia e krishterë në Irak duhet të ketë një rol më të spikatur si qytetarë me të drejta, liri dhe përgjegjësi të plota.
Ndërsa të shtunën, në një takim simbolik me udhëheqësin shpirtëror të muslimanëve Shia Ajatollah Sistani, në qytetin e shenjtë të Najaf, Papa tha se të krishterët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në paqe dhe siguri si të gjithë irakianët e tjerë. /Klan News/