Papa Françesku arrin në Maqedoni, Shkupi nën masa të rrepta sigurie

07 maj 2019 | 10:45

Papa Françesku ka arritur të martën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vizitën e parë në këtë shtet të një drejtues të kishës kalotike ku do të drejtojë një meshë në përkujtim të Nënë Terezës, humaniste e njohur botërore dhe fituese çmimit Nobel, e lindur në Shkup.

Ati i shenjtë gjatë qëndrimit njëditor në Maqedoninë e Veriut do të takohet presidentin në largim, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës në Shkup, e ka vlerësuar si historike dhe që mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

Zyra e shtypit të Selisë së Shenjtë në Vatikan ka bërë të ditur se Papa do të takohet edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik, si dhe me udhëheqës fetarë e njerëz të varfër.

Meshën e cila do të drejtohet nga kreu i Kishës Katolike Romake, sipas autoriteteve pritet ta ndjekim rreth 15 mijë persona në sheshin kryesor të Shkupit, jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe vende tjera që janë akredituar për të marrë pjesë në aktivitetet e atit të shenjtë.

Vizita e Papës ka ngritur në këmbë thuajse gjithë aparatin shtetëror që masa të jashtëzakonshme të sigurisë. Për mbarëvajtjen e vizitës janë angazhuar qindra forca policore e ushtarake si dhe njësitet speciale antiterror.

Komunikacioni nëpër rrugët ku pritet të kalojë Ati i shenjtë që të hënën është bllokuar për qarkullimin e automjeteve ndërsa të gjithë banorët e zonës qendrore janë udhëzuar që të mos dalin pa nevojë. Dita e martë në Shkup është shpallur ditë jopune me qëllim të mos shkaktimit të rrëmujës, por edhe si masë për mbarëvajtjen e vizitës.

Para se të nis vizitën në Shkup, Papa nëpërmjet një video-mesazhi kishte shprehur besimin e thellimit të marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë. Unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë. Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra”, kishte deklaruar Papa duke theksuar se vizitën ia kushtonte në radhë të parë, Nënë Terezës.

“Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve”, ka theksuar Papa Françesku.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Atit i Shenjtë do të pranojë edhe një dhuratë të Kosova, shtatoren e Nënë Terezës, të punuar nga familja e Isë H.Buzukut nga Tygjevci i Kamenicës. Njoftimi është bërë nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Para vizitës në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku ka qëndruar në Bullgari ndërsa vizita thuhet se kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse si pjesë e planeve të Vatikanit për të arritur një unitet të mundshëm ndërmjet degëve të krishterimit nga Lindja dhe Perëndimi që u ndanë në vitin 1054.

Papa dhe Selia e Shenjtë shpresonin se gjatë kësaj vizite do të mbahej një lutje e përbashkët në qendër të Sofjes, por drejtuesit e Kishës Ortodokse bullgare kishin refuzuar një kërkesë të tillë. /Rel/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen vendosi përfundimisht të mos e blinte mesfushorin James…