Papa Françesku bën thirrje për mbrojtje të civilëve në Siri
Papa Françesku, në fjalimin e tij të përjavshëm, ka bërë thirrje ndaj të gjitha palëve të përfshira dhe që kanë ndikim në Siri, të mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të ruajnë popullatën civilë në rajonin e Idlib, që po përballet me sulme nga forcat qeveritare.
Pas 7 vitesh luftë civile, provinca siriane Idlib dhe rajonet përreth janë ndër enklavat më të mëdha të kontrolluara nga rebelët kundër presidentit sirian Bashar al-Assad, një aleat i afërt me Rusinë.
Një burim ka thënë për “Reuters” se Assadi po përgatit një sulm ofensivë për të rikthyer provincën.
“Erërat e luftës po fryjnë dhe ne po marrim lajme të këqija për rrezikun e mundshëm të katastrofës humanitare në Siri, në provincën Idlib”.
“Unë kërkoj nga komuniteti ndërkombëtar dhe të gjithë personat e përfshirë që të përdorin mekanizmat e diplomacisë, dialogut dhe negociatave për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e jetërave të civilëve”, ka thënë Papa Françesku, raporton “Rel”.
Një ofenzivë e madhe në Idlib, ku të zhvendosurit kanë arritur numrin e gjysmës së popullsisë, rrezikon zhvendosjen e 700 mijë sirianëve të tjerë nga shtëpitë e tyre, raportojnë Kombet e Bashkuara.