Papa Françesku: Jam i lumtur që kam ardhur në vendlindjen e Nënë Terezës
Papa Françesku është duke qëndruar në një vizitë historike në Maqedoninë e Veriut.
“Jam i gëzuar që po vij në Maqedoninë e Veriut në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve me selinë e Shenjtë”, ka deklaruar Papa Françesku në fillimin e fjalimit të tij në Vilën Vodno.
Papa Françesku ka folur edhe për karakterin multietnik dhe multifetar të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se kjo është një karakteristikë e veçantë e këtij vendi.
“Përkatësitë e ndryshme fetare dhe etnike, mes maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe të tjerë ka krijuar një mozaik të bukur, i cili do të zbukurohet edhe më tej nëse dini që ta bartni edhe në gjeneratat e reja”, është shprehur Papa.
Ai ka thënë se dëshiron të nënvizojë përpjekjet e Maqedonisë në lidhje me krizën e emigrantëve për t’u dalë në ndihmë atyre.
“Solidariteti juaj me ata, të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre, shtëpitë, ju bën nder juve si shtet”.
Më tutje, ai ka përmendur edhe Nënë Terezën, duke thënë se është i lumtur që po viziton vendin ku ka lindur ajo, duke thënë se Tereza është një simbol i sakrificës.
“E kam fjalë për Nënë Terezën, e lindur në Shkup në vitin 1910. Jam i lumtur që do të mund të lutem në memorialin e ndërtuar për të. Duhet të jeni krenar për veprën e saj”, ka thënë Papa Frasnçesku.