Papa Françesku lirohet nga spitali
Pas qëndrimit prej tre netësh në një spital në Romë, Papa Françesku është liruar të shtunën dhe tani pritet t’i fillojë përgatitjet për javën më të ngarkuar në agjendën e tij vjetore.
Teksa po dilte nga spitali, ai bëri shaka me turmën e përkrahësve dhe gazetarë të grumbulluar duke thënë se ai është “ende gjallë”.
Ai ishte hospitalizuar të mërkurën shkaku i një infeksioni në organet e frymëmarrjes, por gjendja e tij ishte përmirësuar me kalimin e ditëve pasi kishte marrë trajtim mjekësor.
Të premten, Papa Françesku e kishte vizituar repartin e fëmijëve me kancer në spitalin e Romës, të cilëve u kishte dhënë çokollata për festën e Pashkëve dhe madje edhe e kishte pagëzuar një foshnje, sipas një video të publikuar nga Vatikani.
Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, kishte bërë të ditur të premten se Papa Françesku do të lirohej nga spitali dhe do ta kryesonte meshën e madhe të së dielës.