Papa Françesku mirëpret Sylvester Stallonen në Vatikan
Një nga aktorët më të dashur të Hollivudit, i famshëm për interpretimin e personazhit të “Rocky Balboa”, Sylvester Stallone është rikthyer në Vatikan, këtë herë në një takim privat me papa Françeskun, në Pallatin Apostolik, i cili e mirëpriti duke i thënë se ishte i “nderuar”, sipas të përditshmes italiane “Il Mattino”.
Aktori shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Jennifer Flavin, vajzat e tij Sophia, Sistine dhe Scarlet, si dhe vëllai i tij Frank Stallone.
Në këtë periudhë, ylli i Hollivudit ndodhet me pushime në Itali së bashku me vëllain e tij, gruan e tij Jennifer dhe tre vajzat e tyre për të ripërqafuar rrënjët e tyre.
Vetëm ditët e fundit, Sylvester Stallone dhe vëllai i tij Frank, një muzikant mjaft i njohur, morën shtetësinë e nderit të “Gioia del Colle”, në provincën e Barit, prej nga vinte gjyshi i tyre para se të emigronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Stallone solli me vete çelësin e dyqanit ku gjyshi i tij punonte si berber, një çelës i madh pak i ndryshkur, që ai ia la kur vdiq dhe që familja Stallone e mban si një lloj relike.
Vitin e kaluar “Rocky Balboa” ishte në Itali për të promovuar një shfaqje të re në platformën e “Paramount”.
Kësaj radhe duket se ai vizitoi papën vetëm për të kërkuar një bekim të veçantë dhe ndoshta, edhe për të mohuar lajmin që qarkulloi vitin e kaluar për ndarjen nga Jennifer, me të cilën ai është i martuar prej 25 vitesh.