Papa Françesku për sulmin e Iranit kundër Izraelit: Mjaft më me luftë!
Papa Françesku ka bërë një “apel” kundër një “spirale dhune” pas sulmit me raketa dhe dron të Iranit ndaj Izraelit, duke paralajmëruar për një zjarr të mundshëm rajonal.
“Unë bëj apel për t’i dhënë fund çdo veprimi që mund të nxisë një spirale dhune që rrezikon të tërheqë Lindjen e Mesme në një konflikt edhe më të madh”.
“Po lutem dhe po ndjek me shqetësim, por edhe dhimbje, lajmet që kanë ardhur orët e fundit për përkeqësimin e situatës në Izrael për shkak të ndërhyrjes së Iranit”.
“Askush nuk duhet të kërcënojë ekzistencën e të tjerëve. Megjithatë, të gjitha vendet duhet të përkrahin paqen dhe të ndihmojnë izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në dy shtete, krah për krah dhe në siguri”, ka thënë Papa pas lutjes së tij tradicionale të së dielës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, raporton “The Guardian”.
Për më tepër, Papa ka kërkuar nga bota “ta ndihmojë popullsinë që po përballet me një krizë humanitare” në Gaza dhe ka kërkuar “lirimin e menjëhershëm të pengjeve të rrëmbyer muaj më parë” nga Hamasi.
“Mjaft luftë, mjaft sulme, mjaft dhunë. Po dialogut, po paqes”, u ka thënë ai, pelegrinëve në sheshin e Shën Pjetrit.