Papa i thotë Zelenskyt: Vazhdimisht po lutem për paqe në Ukrainë
Papa Françesku i ka thënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se vazhdimisht po lutet për paqe në Ukrianë, pasi u takuan në Vatikan.
Papa theksoi gjithashtu nevojën urgjente për të ndihmuar viktimat e pafajshme të pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia vitin e kaluar, shkruan BBC.
Zelensky u takua më herët me kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila e siguroi atë për mbështetjen e Romës për Ukrainën.
Në një deklaratë të shtunën, Selia e Shenjtë tha se Papa Françesku dhe presidenti Zelensky “diskutuan situatën humanitare dhe politike në Ukrainë të shkaktuar nga lufta” gjatë një takimi që zgjati rreth 40 minuta.
Papa dhe presidenti Zelensky “ranë dakord për nevojën për të vazhduar përpjekjet humanitare për të mbështetur popullsinë”.
Papa Françesku ka thënë shpesh se Vatikani është i gatshëm të veprojë si ndërmjetës në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në fillim të këtij muaji, ai deklaroi se Vatikani po punonte për një plan paqeje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se misioni “nuk është ende publik. Kur të jetë publik, unë do të flas për të”.