Papa: Koronavirusi është përgjigjia e natyrës ndaj qënieve njerëzore që injorojnë krizën ekologjike
“Përhapja e koronavirusit është një nga “përgjigjet e natyrës” ndaj qenieve njerëzore që injorojnë krizën ekologjike”, tha Papa Françesku ditën e sotme.
“Ne nuk i morëm shumë parasysh katastrofat e pjesshme që kanë ndodhur. Kush po flet tani për zjarret në Australi, ose kujton se 18 muaj më parë një anije arriti të kalonte Polin e Veriut sepse akullnajat ishin shkrirë të gjitha? Kush po flet tani për përmbytjet? “, i tha Papa gazetarit katolik britanik Austen Ivereigh në një intervistë me email të botuar të mërkurën në revistat Tablet dhe Commonëealth.
“Nuk e di nëse këto janë hakmarrja e natyrës, por ato sigurisht që janë përgjigje të natyrës.”
Papa Françesku gjithashtu tha se po shërohet nga bronkiti i tij dhe po lutet edhe më shumë nga vendbanimi i tij në Vatikan gjatë kësaj “kohe pasigurie të madhe”.
Ai tha se të pastrehët duhet të karantinohen në hotele dhe jo në parkinge.
“Një foto u shfaq disa ditë më parë, ku disa të pastrehë ishin karantinuar në një parking dhe jo në hotele që tani janë bosh. Ky është moment për të parë të varfërit”, tha Papa.
Papa foli kundër rritjes së politikanëve populistë, të cilët po japin fjalime që i kujtojnë Hitlerit në 1933 dhe të tjerë që po përqendrohen vetëm në ekonomi.
“Unë jam i shqetësuar nga hipokrizia e disa personaliteteve politike që flasin për përballimin e krizës, për problemin e urisë në botë, por që ndërkohë prodhojnë armë. Sot besoj se duhet të ngadalësojmë shkallën tonë të prodhimit dhe konsumit dhe të mësojmë të kuptojmë dhe të sodisim botën natyrore”, u shpreh ai.
Papa inkurajoi njerëzit të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi.
“Kujdesuni për veten tuaj për të patur një të ardhme të mirë,” përfundon Papa.
/Ora News.tv/