Papa mbështet propozimin e Komitetit të Lartë: Më 14 maj i luten Zotit ta ndihmojë njerëzimin
Papa Françesku ka bërë thirrje për bashkëpunim shkencor ndërkombëtar për të zbuluar një vaksinë për koronavirus dhe tha se çdo vaksinë e suksesshme duhet të vihet në dispozicion në të gjithë botën, raporton “Reuters”.
“Në fakt, është e rëndësishme t’i bashkoni aftësitë shkencore, në një mënyrë transparente dhe të paanshme për të gjetur vaksina dhe trajtime”, tha ai në fjalimin e së dielës nga biblioteka papale në qytetin e Vatikanit.
Ai shtoi se ishte e rëndësishme të “garantohet qasja universale në teknologjitë thelbësore që i lejojnë çdo personi të infektuar, në çdo pjesë të botës, ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”.
Papa gjithashtu mbështeti një propozim nga një grup ndërfetar, i njohur si Komiteti i Lartë i Vëllazërimit Njerëzor, për një ditë ndërkombëtare të lutjes dhe agjërimit më 14 maj për t’i kërkuar Zotit që ta ndihmojë njerëzimin ta kapërcejë pandeminë.