Papa takoi refugjatët në Bullgari
Në ditën e dytë të vizitës në Bullgari, Papa Françesku ka vizituar qendrën e refugjatëve Vrazhdebna, e cila ndodhet në periferi të Sofjes.
Fëmijë nga Iraku, Pakistani dhe zona të tjera të konfliktit kënduan për Papën dhe i dhuruan atij vizatime.
Papa i ka krahasuar vuajtjet e refugjatëve me Krishtin e kryqëzuar.
“Sot, bota e emigrantëve dhe refugjatëve është një lloj kryqi, kryqi i njerëzimit. Është një kryq që shumë njerëz e vuajnë”, ka thënë Papa.
Qeveria e qendrës së djathtë e Bullgarisë është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Këshilli Evropian për trajtimin e azilkërkuesve.
Qeveria i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbyllë kufijtë për migrantët, ndërsa në kufirin e Bullgarisë me Turqinë ka ngritur gardh me gjemba.
Të martën, Papa do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut, duke shënuar vizitën e parë të një kreu të selisë së shenjtë në këtë vend.
Vizitat e tij në dy vendet e Ballkanit shihen si përpjekje për të kapërcyer tensionet e përhershme midis degëve ortodokse dhe katolike të krishterimit.