Papa udhëheq lutjet nga ballkoni i spitalit

11 korrik 2021 | 16:13

Papa Françesku është shfaqur në publik për herë të parë qëkur iu nënshtrua operacionit për një problem në zorrën e trashë, një javë më parë.

Duke qenë në gjendje të mirë shëndetësore, Papa, 84 vjeç, ka udhëhequr lutjet javore nga një ballkon i Spitalit Gemelli në Romë. Qindra njerëz janë mbledhur jashtë spitalit.

“Jam i lumtur që jam në gjendje të mbaj takimin e së dielës Angelus edhe nga këtu. E kam ndjerë thellësisht afërsinë tuaj dhe mbështetjen e lutjeve tuaja. Faleminderit nga zemra”, ka thënë ai.

Disa fëmijë pacientë janë shfaqur së bashku me Papën në ballkon. Nuk është ende e qartë se sa kohë do të qëndrojë ai në spital.

Vatikani ka thënë se Papa i është përgjigjur mirë trajtimit.

I lindur në vitin 1936 në Buenos Aires, Françesku ka humbur një pjesë të mushkërive në moshën 21-vjeçare. Ai gjithashtu vuan nga një problem në ijë.

Në vitin 2014, atij i është dashur të anulojë një numër angazhimesh, për shkak të një sëmundjeje të stomakut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në vitin…